Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka njoftuar për një vendim të rëndësishëm institucional të marrë nga ky këshill, që lidhet me fuqizimin e institucioneve kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak.
Sipas Rexhepit, me 10 vota pro dhe asnjë kundër është miratuar themelimi i Institutit për Kulturë Shqiptare, një institucion që do të ketë për mision ruajtjen, studimin, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe identitare të shqiptarëve në këto zona.
“Këshilli Kombëtar Shqiptar hodhi një hap të rëndësishëm në fuqizimin e institucioneve kombëtare shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.
Ai theksoi se ky vendim përbën një arritje të rëndësishme institucionale, pasi për herë të parë krijohet një mekanizëm i specializuar që do të punojë në mënyrë profesionale për dokumentimin dhe promovimin e vlerave kombëtare.
“Me 10 vota pro dhe asnjë votë kundër u miratua themelimi i Institutit për Kulturë Shqiptare, një institucion që do të ketë për mision ruajtjen, studimin, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe identitare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Sanxhak”, thuhet në deklaratën e tij.
Rexhepi ka falënderuar këshilltarët që morën pjesë në seancë dhe votuan pro këtij projekti, ndërsa ka kritikuar mungesën e pesë këshilltarëve të APN-së.
“Falënderoj të gjithë këshilltarët që morën pjesë në seancë dhe votuan për këtë projekt me rëndësi historike. Ndërkohë, pesë këshilltarët e APN-së munguan në seancë dhe zgjodhën të mos bëhen pjesë e këtij procesi”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky vendim përfaqëson një investim afatgjatë për identitetin dhe trashëgiminë shqiptare.
“Instituti për Kulturë Shqiptare është një investim për identitetin tonë, për historinë tonë dhe për brezat që do të vijnë. Ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe një tjetër dëshmi se me punë, përkushtim dhe vizion mund të ndërtojmë institucione të qëndrueshme në shërbim të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, përfundon deklarata e Rexhepit.

