Komuna e Fushë Kosovë ka njoftuar se më 10 dhe 11 qershor 2026 do të realizohet dezinsektimi në hapësirat e hapura publike në të gjithë territorin e komunës, me qëllim të kontrollit të insekteve bartëse të sëmundjeve dhe përmirësimit të kushteve të shëndetit publik.
Sipas njoftimit, procesi do të nisë nga ora 20:00 dhe do të përfshijë qytetin e Fushë-Kosovës, të gjitha fshatrat e komunës, si dhe zonën e Pishave të Sllatinës.
Komuna u bën thirrje qytetarëve që gjatë kohës së realizimit të dezinsektimit të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert e shtëpive, të shmangin qëndrimin e panevojshëm në zonat ku kryhet spërkatja dhe të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët, personat e moshuar dhe kafshët shtëpiake.
Po ashtu, bletarët janë ftuar të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve gjatë periudhës së trajtimit.
Autoritetet komunale theksojnë se aktiviteti është pjesë e masave për ruajtjen e shëndetit publik dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët.

