Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se procesi i numërimit të votave po shkon mirë dhe me kujdes të shtuar. Ai ka thënë se deri më 6 korrik pritet shpallja përfundimtare e rezultateve.
“Sipas planit operacional është data 6 korrik, por besoj që nga fundi i qershorit do të jemi gati me shpalljen e rezultateve. Të kemi parasysh që votat e diasporës duhet të vlerësohen fillimisht, për ato me postë. Pastaj fillon numërimi i tyre”, tha ai nga Salla “1 Tetori” në Prishtinë.
Ai tha se të gjitha kutitë me vota nga procesi i votimit me postë janë tërhequr, përveçse në Australi.
“Tërheqjet janë përfunduar të gjitha dje. Përveç në Australi që është bërë sot sepse atje ka qenë dita e hënë ka qenë ditë pushimi. Numri i përgjithshëm i votave me postë është diku 82 apo 85 mijë. Numri i përafërt është diku rreth 85 mijë, së bashku me votat e përfaqësive diplomatike do të bëhet rreth 108 mijë vota”, tha ai.
“Deri më tani nuk kemi pas asnjë problem. Në Vushtrri kemi pasur vetëm një problem me lidhjen e internetit dhe është sanuar dhe numri ka vazhduar në rregull. Kontrolli është pak më i lartë tani pasi që i pranojmë materialet e bëjmë një rinumërim. Andaj procesi deri më tani nuk ka probleme dhe nuk kemi ankesa nga asnjëra palë”, ka shtuar Radoniqi.

