Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile. Seanca do të mbahet më 20 korrik 2026 në Pallatin e Drejtësisë.
Sipas njoftimit, të pandehurit janë: Obrad Stevanoviç, Radomir Markoviç, Krsmam Jeliç, Goran Radosavljeviç, Zhivko Trajkoviç, Bogoljub Janiçeviç, Milan Lekiç, Radomir Miliç, Dragan Djorgoviç, Branko Mladenoviç, Dragan Jasoviç, Momçilo Sparavalo, Darko Amanoviç, Srboljub Vujinoviç, Bozhidar Marinkoviç, Zoran Stanojeviç, Milan Josanoviç, Goran Petkoviç, Dragoslav Nikoliç, Çedomir Aksiç dhe Zvonimir Janiçijeviç.
Gjykata ka bërë të ditur se, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Po ashtu, gjykata ka bërë thirrje që të pandehurit të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës, si dhe ka kërkuar nga personat që posedojnë informacione për vendndodhjen e tyre t’i njoftojnë Policinë e Kosovës ose institucionet kompetente.
Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 20 korrik 2026, në ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë në Hajvali, Objekti D, dhe do të udhëhiqet nga gjyqtarja Violeta Namani.
Aktakuza dhe ftesat për seancë, sipas gjykatës, janë të publikuara në faqen zyrtare të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare.

