Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ndërmarrjen e masave urgjente për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore gjatë periudhës verore.
Sipas një njoftimi të Komunës, drejtori i Drejtorisë së Kadastrit, Gent Begolli, i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë Kadastrale të Kosovës duke ngritur shqetësimin për vonesat në procedimin e lëndëve, të shkaktuara nga ngarkesa e sistemit.
Në kërkesë thuhet se një nga arsyet kryesore të vonesave lidhet me faktin se lëndët që kthehen për plotësim te noterët rikthehen sërish në radhën e pritjes sipas datës fillestare të aplikimit, duke krijuar bllokime në proces dhe duke ndikuar në zgjatjen e afateve të trajtimit për lëndët e tjera.
Për këtë arsye, është kërkuar që për periudhën 1 qershor – 1 shtator të mundësohet përkohësisht lirimi i radhitjes automatike të lëndëve, me qëllim të përshpejtimit të përpunimit të rasteve në procedurë dhe zvogëlimit të kohës së pritjes për qytetarët.
Sipas njoftimit, kërkesa merr rëndësi të veçantë gjatë muajve të verës, kur një numër i madh i bashkatdhetarëve qëndrojnë përkohësisht në Kosovë dhe kanë nevojë të përfundojnë procedurat pronësore brenda afateve të arsyeshme.
Po ashtu, Drejtoria e Kadastrit ka kërkuar përmirësime teknike në sistem, në mënyrë që zyrtarët të njoftohen menjëherë pas plotësimit të komenteve nga noterët dhe të shmanget trajtimi paralel i së njëjtës lëndë nga më shumë se një zyrtar në të njëjtën kohë.
Komuna e Prishtinës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve administrative dhe në mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

