Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, duke i dërguar ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari.
Haxhiu theksoi se Sahit Jashari i përkiste brezit të njerëzve që në periudhat më të vështira të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë.
“Sahit Jashari i përkiste brezit të njerëzve që në ditët më të vështira të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së lirisë me guxim, përkushtim dhe sakrificë. Si bashkëluftëtar i hershëm dhe një prej figurave të para të organizimit çlirimtar, ai mbeti i lidhur përjetësisht me Prekazin, me Drenicën dhe me historinë e qëndresës sonë kombëtare”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se jeta e tij ishte e lidhur me idealin e lirisë dhe me rrugën e gjatë të Kosovës drejt çlirimit.
“Në kujtesën e familjes, të bashkëluftëtarëve dhe të qytetarëve që e njohën, Sahit Jashari do të mbetet njeri i qëndresës, i besës dhe i përkushtimit ndaj atdheut”, ka theksuar Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në këto ditë dhimbjeje, bashkëndjen me familjen Jashari, me të afërmit, bashkëluftëtarët dhe miqtë e tij për këtë humbje.
“Në emrin tim dhe të Presidencës së Republikës së Kosovës, pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.

