Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se komisionet vlerësuese kanë nisur që nga fillimi i kësaj jave shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura të Pakos për Përballje me Inflacion 2.0, përkatësisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat dhe për studentët.
Sipas Muratit, puna e komisionit që po merret me aplikimet e punëtorëve të sektorit privat është drejt përfundimit, ndërsa ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës së ardhshme, konkretisht të hënën.
“Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim. Qeveria për të gjithë!”, ka shkruar Murati në Facebook.

