Banorët e Rrjollit u ngritën sërish në protestë këtë të shtunë për të kundërshtuar ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Banorët u nisën drejt kantierit të punimeve, teksa nuk munguan edhe përplasjet me policinë.
Protestuesit hodhën poshtë rrethimin metalik të vendosur, duke u futur brenda ambienteve të kantierit. Protestuesit mbanin pankarta në duar me shkrime: “toka nuk preket”, ndërsa bënë thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit demokrat Sali Berisha. Projekti për resortin shtrihet në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh ndërsa është kundërshtuar me forcë nga banorët e zones edhe më herët, për shkak të problemeve me pronësinë e tokës. Ata pretendojnë se tokat e tyre janë grabitur me dokumente false dhe më pas i janë shitur kompanisë ndërtuese. Ata kanë depozituar një kërkesë zyrtare në Prokurori, ku kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë ligjore lidhur me vërtetësinë e dokumenteve që disponojnë për pronësinë e tokës në zonën e Rrjollit, aty ku po ndërtohet resorti turistik. Nga ana tjetër, kompania Gener 2 ka theksuar se projekti turistik është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar.

