Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u ka bërë thirrje vendeve të negociojnë rregulla ligjërisht të detyrueshme mbi armët autonome, por Rusia ka vonuar fillimin e bisedimeve të tilla serioze në Gjenevë duke ngritur kundërshtime procedurale.
“Merrni masa për të parandaluar përdorimin dhe përhapjen e këtyre armëve të pamëshirshme”, tha Guterres në një mesazh video në hapjen e një takimi të 128 shteteve palë në Konventën e OKB-së për Disa Armët Konvencionale (CCW).
“Ju bëj thirrje të ecni drejt negociatave mbi një instrument ligjërisht të detyrueshëm për të rregulluar sistemet autonome të armëve – duke përfshirë ndalime dhe kufizime të qarta”, tha ai.
Rusët bllokuan axhendën
Delegacioni rus bllokoi miratimin e rendit të ditës, duke kërkuar që vëzhguesve t’u lejohej të flisnin vetëm në fund të konferencës dhe jo për pikat individuale të rendit të ditës, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara procedurale.
Përfaqësuesi rus ka akuzuar Bashkimin Evropian, i cili ka statusin e vëzhguesit, se ka bërë “deklarata të motivuara politikisht” dhe ka gënjyer në takimet e mëparshme. Asnjë delegacion tjetër nuk e mbështeti propozimin, por kryetari i konferencës e shtyu seancën deri në pasdite.
Robotë vrasës
Armët vdekjeprurëse plotësisht autonome, të quajtura shpesh “robotë vrasës”, mund të identifikojnë dhe gjurmojnë objektivat dhe të nisin sulme vdekjeprurëse pa ndërhyrjen njerëzore. Ekspertët thonë se ende nuk ka prova se armë të tilla po përdoren tashmë në konflikt, megjithëse ka raportime anekdotike se dronët ukrainas dhe rusë në luftë po përdorin gjerësisht inteligjencën artificiale për një sërë detyrash.
Këtë javë, përfaqësuesit e vendeve po debatojnë nëse do të miratojnë negociatat mbi kufizimet dhe një ndalim të mundshëm të sistemeve të tilla. Një vendim mund të merret deri të premten. Shumë vende mbështesin një protokoll ligjërisht të detyrueshëm, por vendet me industri të mëdha mbrojtëse, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Rusinë, kanë rezerva.

