Gjatë javës, mbi Kosovë do të dominojnë fusha me presion relativisht të lartë atmosferik, duke favorizuar mot kryesisht të qëndrueshëm dhe me intervale të gjata me diell. Megjithatë, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, depërtimi i herëpashershëm i masave më të lagështa ajrore do të krijojë kushte për zhvillim të vranësirave konvektive dhe reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, veçanërisht të martën.
Temperaturat gjatë gjithë javës pritet të mbeten afër mesatares shumëvjeçare për këtë periudhë të vitit.
Të hënën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare, pa reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 25 deri në 29 gradë.
Të martën pritet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Gjatë orëve të pasdites do të ketë shtim të vranësirave, të cilat vende-vende mund të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh. Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 27 gradë.
Të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të sillen ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 29 gradë.
Të enjten parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët, me kushte më të qëndrueshme atmosferike dhe mundësi të vogël për reshje. Temperaturat minimale do të jenë nga 11 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 26 deri në 29 gradë.
Të premten moti do të karakterizohet nga intervale me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 27 deri në 30 gradë.
Kushte të favorshme për bujqësinë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës vlerëson se kushtet agrometeorologjike gjatë kësaj periudhe do të jenë përgjithësisht të favorshme për shumicën e kulturave bujqësore.
Temperaturat e moderuara dhe niveli i kënaqshëm i lagështisë në shtresat sipërfaqësore të tokës do të mbështesin zhvillimin normal të kulturave pranverore dhe verore.
Reshjet lokale të parashikuara gjatë javës pritet të kontribuojnë në ruajtjen e rezervave të lagështisë në tokë, duke ulur nevojën për ujitje shtesë në shumë rajone të vendit.
Megjithatë, fermerëve u rekomandohet të monitorojnë me kujdes paraqitjen e sëmundjeve kërpudhore në kulturat e ndjeshme, sidomos pas reshjeve dhe rritjes së lagështisë relative të ajrit.

