Monday, June 15, 2026
HomepafilterProkuroria kërkon paraburgim për tre persona për vrasjen e rëndë në Prizren

Prokuroria kërkon paraburgim për tre persona për vrasjen e rëndë në Prizren

Një mosmarrëveshje mes familjarëve, të dielën, në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit ka përfunduar me vrasjen e një 27-vjeçari dhe plagosjen e një personi tjetër, në një rast që Prokuroria Themelore në Prizren e ka cilësuar si “vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve: Sh. O., një të mituri dhe A. O., të cilët ndodhen aktualisht në ndalim policor.

Dy të dyshuarit Sh. O. dhe i mituri dyshohet se në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta viktimën A. O., si dhe kanë vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit I. O., gjatë një konflikti të ndodhur më 14 qershor 2026 në fshatin Kobaj.

Sipas Prokurorisë, rasti dyshohet të ketë nisur nga mosmarrëveshje të mëhershme mes familjarëve lidhur me emërtimin e një rruge në lagjen e tyre, që fillimisht ka eskaluar në konflikt verbal e më pas fizik.

Në këtë përballje, palët dyshohet se kanë përdorur mjete të mprehta – thika – ku viktima është goditur në pjesën e gjoksit dhe ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, i dëmtuari tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Prokuroria bën të ditur se e dyshuara A. O. (nëna e të pandehurve) po hetohet për shtytje në kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa ndaj dy të dyshuarve të tjerë rëndon dyshimi për bashkëkryerje në vrasje të rëndë.

Në kërkesën e saj drejtuar gjykatës, Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se rasti është i rëndë dhe se ekziston dyshimi i bazuar për përfshirjen e të gjithë të dyshuarve në ngjarje, duke kërkuar masën e paraburgimit.

Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa autoritetet e drejtësisë kanë theksuar përkushtimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram