Tuesday, June 16, 2026
HomeKulturëKur toka flet: Zbulimet arkeologjike që ndezën turizmin kulturor në Shqipëri

Kur toka flet: Zbulimet arkeologjike që ndezën turizmin kulturor në Shqipëri

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria e ka ndryshuar në mënyrë radikale hartën arkeologjike të saj. Një“bum”zbulimeve po sjell informacione të reja që rishkruajnë prehistorinë, antikitetin dhe mesjetën në këtë territor: nga vendbanimi palafit i Linit—i cili me struktura 8.000-vjeçare konsiderohet vendbanimi më i vjetër me palafite në Evrika—deri në zbulimet e fundit në qytetin antik të Amantias, Butrintit, Orikumit dhe Finiqit. Në një intervistë për Kosovatimes Kriledjan Çipa ka lidhur kërkimin shkencor me zhvillimin ekonomik dhe turistik, një temë shumë aktuale pasi vizitat në sitet kulturore shqiptare u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2024, me më shumë se 1.3 milion vizitorë në monumente dhe parqe arkeologjike. 

Gjate dekadës se fundit pati nje bum zbulimesh arkeologjike  në Shqipëri. Cfare do te veqonit?

Çipa: Për sa i përket zbulimeve arkeologjike në Shqipëri, do të veçoja dy kategori zbulimesh. E para janë zbulimet e siteve arkeologjike të panjohura më parë. Ato janë zbuluar nga projektet kërkimore shkencore dhe nga gërmimet e shpëtimit.  Rastet më të njohura janë zbulimi i qytetit antik të Bushatit, Varreza Tumulare e Himarës, apo vendbanimit palafit i Linit, varreza e Turanit gjat zbatimit të projektit TAP, si dhe zbulimi i varraezës mesjetare në Përmet. Rëndësi të veçantë pati zbulimi i pranisë së Neandertalit në sitin e Djalanit të Vogël në veri të Triporit. Nga sitet arkeologjike tashmë të njohura, por ku vijojnë gërmimet arkeologjike në mënyrë të programuar, do të veçoja kërkimet arkeologjike në qytetin antik të Orikumit, kërkimet e projektit shqiptaro-italian në parkun arkeologjik të Finiqit dhe kërkimet arkeologjike në Çukën e Ajtoit. Të tre këto projekte me aplikimin e metodologjive moderne të kërkimit, kanë sjellë të dhëna të rëndësishme në njohjen e qyteteve antike në territorin e Shqipërisë. Si projekt i aplikuar në shkallë territoriale për tu shënuar, është edhe projekti PASH i aplikuar në veriperëndim të Shqipërisë nga Universiteti i Cincinnat-it dhe Universiteti i Tiranës.

Ajo që bëri bujë ishte Lini- vendbanimi më i vjetër me palafite në Evropë. Deri çfarë niveli kane shkuar gjurmimet, ku disa prej strukturave datojnë rreth 8,000 vjet më parë, duke e bërë sitin një nga më të rëndësishmit për studimin e Neolitit evropian.

Çipa:Zbulimi dhe të dhënat arkeologjike, të cilat u përftuan në vendbanimin e Linit janë të rëndësishme për prehistorinë e Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës. Vendbanimi palafit i Linit stabilizoi kronologji të reja për fillimet e periudhës së Neolitit dhe në përgjithësi për prehistorinë në Shqipëri, rajon dhe kontinentin europian. Gjithashtu, konfirmoi se në këtë rajon bujqësia ka lindur shumë më herët nga sa mendohej. Sipas të dhënave të bëra publike nga kolegët, vendbanimi palafit i Linit ka qenë i fortifikuar, çka sugjeron se kjo periudhë është karakterizuar edhe nga konflikte. Studimi i plot i materialit dhe botimi i plot i tyre në të ardhmen, do të hedhi dritë mbi shumë aspekte të prehistorisë, pasi të dhënat tregojnë, se vendbanimi nuk ka qenë përdorur vetëm në periudhën e Neolitit, por edhe në periudhën e metaleve, kryesisht në atë të Bronzit.

Po këtu do të ndalemi edhe te Amantia – ku janë gjetur  gjurmë të reja nga shekulli III p.e.s. Nga gjetjet e deritashme si ishte organizuar jeta në këtë zonë?

Çipa:Në parkun arkeologjik të Amantias, kërkimet arkeologjike të nisura nga DRTK Vlorë së bashku me Drejtorinë e Shërbimit Arkeologjik pjesë e Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, po vijojnë tashmë prej 7 vitesh. Krahas gërmimeve arkeologjike, paralelisht, ne kemi kryer edhe restaurime, të cilat jo vetëm ndihmojnë në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e monumenteve, por njëkohësisht i bën të prezantueshëm për publikun. Fillimisht kërkimet tona kanë qenë përqendruar tek nekropoli, ndërsa në tre vitet e fundit edhe tek tarraca lindore jashtë fortifikimit, aty ku në vitet 1950-60 ishte zbuluar stadiumu antik, nga Profesor Skënder Anamali dhe Profesor Hasan Ceka. Nga gërmimet e kryera në vitin 2025 në tarracën lindore, u zbulua një pjesë e fortifikimit, e cila rrethonte pjesën publike ose agornë antike në shek. III p.e.s. Egzistenca e këtij fortifikimi nuk ka qenë e njohur më parë. Zbulimi i tij na jep të dhëna të reja për mënyrën e organizimit urbanistik të qytetit të Amantias në shek. III-I p.e.s. Brenda fortifikimit u zbuluan rrënojat e një godine, e cila ishte ndërtuar në shek. III p.e.s dhe shkatëruar në shek. V e.s. Në të njëjtën periudhë ishte rrëzuar edhe fortifikimi. Këtë periudhë shkatërimesh na i konfirmon një shtresë me djegie dhe tjegulla të shek. V e.s. Kjo periudhë dramatike konfliktesh, duhet të lidhet me dyndjet sllave ose barbare. Krahas të tjerash, në këtë zonë kemi restauruar gjatë viteve 2023 dhe 2024 disa godina, të cilat lidhen me një kompleks antik. Krahas zbulimeve në agoranë antike, gërmimet tona shumëvjeçare na kanë dhënë informacione shumë interesante rreth jetëgjatësisë së vendbanimit. Gjetjet e stërallit, si dhe gjejtej e periudhës Arkaike dhe Klasike (shek. VII-V p.e.s) janë tregues, se Amantia ka qenë një vendbanim ku jeta nis që në periudhën e Bronzit, ndërsa në periudhën Arkaike dhe Klasike ishte një vendbanim shumë i rëndësishëm. Periudha e lulëzimit të qytetit nis në shek. IV p.e.s dhe vijon deri në shek. I e.s. Të dhënat e përftuara nga gërmimet në nekropol, tregojnë, se jeta vijon pa ndërpreje edhe përgjatë periudhës romake, deri në shek. V e.s. Edhe pse ka një fazë shkatërimi, akropoli rifortifikohet dhe restaurohet nga Justiniani në shek. VI e.s. Nga gërmimet e kryera në nekropolit verilindor dhe në akropol, gjetjet tregojnë se jeta vijon edhe në shekujt e mesjetës, deri në periudhën Osmane. Kjo është periudha kur themelohet edhe fshati Ploçë, disa prej familjeve të të cilit vijojnë ende të banojnë në pjesën e akropolit. Pra, kërkimet tona arkeologjike, argumentojnë se Amantia është një qendër arkeologjike me një vijimësi nga prehistoria e deri në ditët e sotme.

Çfarë informacioni të ri kanë sjellë gërmimet e fundit në Butrint, veçanërisht në zonën e Akropolit?

Çipa:Projekti shqiptaro-italian që po punon në Butrint, është përqendruar kryesisht në zonën e akropolit. Qëllimi i tij, ka qenë ristabilizimi i një kronologjie më të saktë rreth murit fortifikues apo tarracues që daton rreth shek. VII-VI p.e.s. Gërmimet dhe kërkimet që po kryhen aty, kanë si qëllim të ritrajtojnë datimin e themelimit të vendbanimit, si dhe funksionin dhe organizimin e tij. Ato kanë sjellë të dhënë të reja rreth këtyre çështjeve, të cilat janë botuar pjesërisht, ndërsa botimi i plotë i tyre pritet të ndodhi në vitet në vijim. Një sektor tjetër ku është përqendruar ky projekt, është edhe ai i gjurmimit të portit antik, nëpërmjet kërkimeve nënujore. Në kuadër të këtij projekti, rifreskimi i hartës arkeologjike të Kaonisë, na ka krijuar mundësinë që së bashku me Universitetin e Bolonjës të fillojmë një projekt të ri në një vendabnim tjetër të bregdeti kaon, më në veri, në Borsh, ku këtë vit do të hedhim hapat e parë.

Sa kanë ndihmuar teknologjitë e reja si skanimi 3D, LiDAR dhe dronët në kërkimet arkeologjike shqiptare?

Çipa:Në procesin dhe metodologjitë e kërkimit arkeologjik, teknologjia është një nga instrumentet që ndihmon shumë në dokumentimin e qendrave arkeologjike dhe sqarimin e çështjeve të ndryshme që lidhen me to. Këto teknologji, si aplikimi i sistemit Lidar, përdorimi i dronit për dokumentim, si dhe aplikimi i gjeofizikës janë prezantuar kryesisht nga projektet ndërkombëtare që veprojnë në territorin e Shqipërisë. Tashmë, aplikimi i këtyre praktikave është fare normal në çdo projekt kërkimor, survey apo gërmim arkeologjik që realizohet.

A ka zbulime të reja që po ndryshojnë njohuritë tona për qytetërimin ilir?

Çipa:Kërkimi arkeologjik është një proces që zgjat në kohë, duke filluar nga puna që kryeht në terren, tek vijimi i studimit të materialit e deri tek botimi përfundimtar i të dhënave. Në këtë kontekst, nuk mund të ketë zbulime që ndryshojnë në mënyrë të shpejtë njohuritë e deri tanishme mbi ilirët. Të gjithë projektet kërkimore shkencore, apo informacionet që vijnë nga gjetjet e rastit dhe gërmimet e shpëtimit, po ndihmojnë që gradualisht të njohim më mirë historinë antike dhe aspekte të ndryshme të kulturës, dhe jetës në Ilirinë e lashtë.

Cilat janë sitet arkeologjike më premtuese për kërkime të ardhshme në Shqipëri?

Çipa:Shqipëria ka një nëntokë me potencial të jashtëzakonshë, për këtë arsye nuk mund të ketë një përgjigje përfundimtare, se cilat site kanë potencial më të lartë arkeologjik. Kjo varet edhe nga periudha për të cilën studiuesit janë të interesuar. Për sa i përket qendrave arkeologjike antike, tashmë janë mjaftueshëm të eksploruara disa prej tyre si Apollonia, Bylisi, Finiqi, Butrinti, Orikumi dhe deri diku Antigonea, Selca e Poshtme, Gradishta e Belshit, Dimali etj. Kanë ngelë jashtë vëmendjes site si Hija e Korbit në Korçë, Klosi në Mallakastër, potencial të jashtëzakonshëm paraqet Amantia dhe Olympe në zonën e Vlorës, si dhe Triporti. Në këtë të fundit edhe pse janë kryer disa fushata gërmimesh, ngelet ende një vendbanim shumë pak i njohur. Ka gjithashtu, një numër të konsiderueshëm qendrash arkeologjike më të vogla, të cilat janë shumë pak të njohura, ku është shumë e nevojshme të drejtohet fokusi i kërkimit arkeologjik. Në këtë kategori sitesh bëjnë pjesë Çuka e Ajtoit pranë Konispolit dhe Matohasanaj në rrethin e Tepelenës ku kërkimi arkeologjik tashmë ka nisur dhe po dalin të dhëna me interesë. Në këtë optikë, së fundmi po nisim tashmë punën kërkimore në qendrën arkaeologjike të Borshit, pranë Himarës.

A ka pasur zbulime të rëndësishme në zona më pak të njohura si Dibra, Tomorri apo bregdeti jugor?

Çipa:Në këto zona kërkime arkeologjike janë realizuar kryesisht gjatë periudhës së Komunizmit, por megjithatë potenciali i tyre ngelet ende i panjohur. Rast për tu veçuar është gjetja e varrit monumental në Strikçan të Dibrës, i cili ngelet ende për tu lidhur me një kontekst arkeologjik dhe historik.

Si po ndikojnë zbulimet e reja arkeologjike në rritjen e turizmit kulturor në Shqipëri?

Çipa: Zbulimet arkeologjike janë një katalizator i përhershëm i nxitjes së turizmit. Ato ngjallin kërshërinë, jo vetëm të turistëve të huaj, por dhe të vetë shqiptarëve. Ato ndikojnë kryesisht në rritjen e vizitueshmërisë në site arkeologjike, të cilat më parë kanë qenë pak të vizitueshëm.

Cilat site arkeologjike kanë potencialin më të madh për të tërhequr turistë ndërkombëtarë në vitet e ardhshme?

Çipa: Kryesisht nxitjen e turizmit masiv e shkaktojnë sitet e mëdha arkeologjike, ku monumentet e gërmuar, restauruar dhe prezantuar në mënyrë profesionale për publikun, krijojnë atraksione. Shembujt kryesor janë Butrinti dhe Apolonia. Por potencial të jashtëzakonshëm paraqesin edhe Amantia, Orikumi, Finiqi, Antigoneia, Selca e Poshtme, Bylisi e Klosi, Dimali, Olyumpe, Hija e Korbit, Lezha e Bushati etj.

Si mund të shndërrohen rezultatet e kërkimeve arkeologjike në produkte turistike edukative?

Çipa: Zbulimet arkeologjike dhe rezultatet e kërkimeve në këtë fushë mund të shëndrohen në produkte turistike, duke i bërë ato të aksesueshme dhe prekshme për publikun. Kjo realizohet duke muzealizuar sitet, jo vetëm nëpërmjet restaurimit të monumenteve, por duke krijuar edhe infrastrukturën e përshtatsheme, e cila i bën ato të lexueshme dhe kuptueshme për publikun e gjerë. Nga ana tjetër, në sitet arkeologjike ku ka gjetje të konsiderueshme artefaktesh, është shumë e rëndësishme të ngrihen muze arkeologjik in situ. Rastet më të suksesëshme edhe në këtë drejtim janë Butrinti dhe Apoollonia, ndërsa së fundmi po tentohet të ngrihet një muze edhe në parkun arkeologjik të Bylisit. Ky shembull duhet aplikuar edhe në parqet e tjera arkeologjike si Amantia, Orikumi, Finiqi, Antigone etj. Kjo formë prezantimi është e vlefshme dhe për sitet prehistorike e mesjetare, disa prej të cilave edhe pse shumë të rëndësishme janë vështirë të perceptueshme për publikun pa ndihmën e muzeve in situ.

A ekziston rreziku që zhvillimi i turizmit të dëmtojë trashëgiminë arkeologjike? Si mund të shmanget kjo?

Çipa: Aktualisht në Shqipëri, i vetmi sit, i cili mund të konsiderohet deri diku i rrezikuar nga turizmi masiv është parku arkeologjik i Butrintit. Sitet e tjera arkeologjike janë jashtë këtij rreziku. Megjithatë, me rritjen e vijueshme të turizmit dhe masivizimin e tij, shumë prej siteve të cilat gradualisht po kthehen në atraksione të vizituara, janë potencialisht të rrezikuara nga ky fenomen. Kjo mund të shmanget me kufizimin e orareve të vizitave, rritjen e çmimit të biletave, por edhe krijimin e politikave për shpërndarjen e  vizitorëve në qendra të ndryshme. Këto masa që theksova, nuk janë të vetmet zgjidhje, në këtë drejtim kemi shumë për të mësuar nga eksperienca e vendeve të tjera, të cilat janë ndeshur me këtë problematikë përpara nesh.

Çfarë modeli duhet të ndjekë Shqipëria për të balancuar ruajtjen e monumenteve me zhvillimin ekonomik?

Çipa: Modelet e sukseshme në këtë drejtim janë tashmë të gatshme, nëse do të shohim ecurinë e vendeve fqinje si Greqia, Italia dhe Kroacia. Shqipërisë nuk i ngelet gjë tjetër, por vetëm të mësojë nga përvoja e tyre.

Sa të përfshira janë komunitetet lokale në promovimin dhe mbrojtjen e siteve arkeologjike?

Çipa: Tashmë ka politika për përfshirjen e komuniteteve në promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe po bëhen përpjekje prej vitesh në këtë drejtim. Këto përjekje nisin që me edukimin e brezave më të rinj e deri në promovimin e produkteve të komuniteteve lokale, të cilat banojnë pranë këtyre siteve. Me rritjen e interesit turistik dhe benefiteve direkte dhe indirekte që do të përfitojnë komunitetet lokale, do të rritet në mënyrë të pashmangshme edhe ndërgjegjësimi i tyre për promovimin dhe mbrojtjen e siteve arkeologjike. Por, sigurisht, ky është një proces që kërkon kohën e vetë.

Si e vlerësoni ndikimin e Parku Kombëtar të Butrintit në zhvillimin e turizmit kulturor shqiptar?

Çipa: Përfshirja e Butrintit në listën e pasurive botërore të UNESCO, e bëri këtë park arkeologjik brend me famë botërore. Kjo nxiti interesin e turistëve të shumtë nga gjithë bota. Mjafton të shohësh numrin e madh të hoteleve të ndërtuara në Ksamil dhe Sarandë, për të kuptuar impaktin e madh që ky sit ka patur në rritjen e turizmit të zonës dhe gradualisht në rritjen e turizmit kulturor në Shqipëri.

Çfarë risishë mund të presin vizitorët në Parku Arkeologjik të Apolonisë gjatë viteve të ardhshme?

Çipa: Në djenin time, aktualisht po investohet për ndërtimin e një infrastrukture moderne në parkun arkeologjik të Apolonisë. Kjo infrastrukturë e shoqëruar me informacionin që do të sjellin gërmimet arkeologjike dhe monumentalitetin që mund të arrihet nëprmjet ndërhyrjeve restauruese, do të pasurojë ndjeshëm ofertën turistike të këtij parku në të ardhmen.

A po përdoren mjaftueshëm gjetjet e reja arkeologjike për të pasuruar përvojën e turistëve?

Çipa: Gjetjet arkeologjike rrisin informacionin mbi historinë e siteve, duke rritur njëkohësisht kurjozitetin e vizitorëve. Një impakt të tillë, po përpiqemi të arrim në parkun arkeologjik të Amantias, ku gjetjet e reja po rrisin gjithnjë e më tepër interesin turistik për këtë vendbanim të jashtëzakonshëm.

Si mund të lidhen rrugët turistike me historinë ilire, romake dhe mesjetare të Shqipërisë?

Çipa: Kjo është një punë pjesërisht e realizuar tashmë. Megjithatë, shumë site kanë nevojë që të lidhen me infrastrukturë rrugore. Një shembull i tillë është parku arkeologjik i Finiqit, i cili në vitet e fundit është pasuruar me monumente të shumta si rezultat i gërmimeve arkeologjike. Megjithatë, mungesa e një rruge të përshtatshme për automjete që sjellin grupe turistësh, siç janë autobusat, e ka lënë këtë park arkeologjik jashtë itinerareve të agjencive kryesore turistike. Sigurisht, shembuj si Finiqi ka edhe në rajone të tjera të Shqipërisë. Për këto site, krijimi i aksesit rrugor është jetik. Kam besim se investime të tilla do të realizohen në të ardhmen e afërt.

Nëse do të kishit mundësi të investonit në një projekt të vetëm arkeologjik në Shqipëri, cili do të ishte dhe pse?

Çipa: Nuk jam partizan i veçimit të një projekti në raport me të tjerë, pasi çdo projekt arkeologjik është i rëndësishëm në vetvete. Çdo projekt arkeologjik sjell informacione dhe të dhëna të vlefshme për një sit të caktuar, një rajon të caktuar apo një periudhë të caktuar. Në këtë këndvështrim nuk mund të ketë një projekt më të rëndësishëm se të tjerët. Aktualisht DRTK Vlorë në bashkëpunim edhe me institucione kërkimore shkencore dhe partnerë të ndryshëm është përqendruar në kërkime arkeologjike në parkun arkeologjik të Amantias, në qytetin antik të Olympes apo në qendrën antike të Borshit.

Cilat janë sfidat kryesore të arkeologjisë shqiptare sot: financimi, ruajtja, apo promovimi?

Çipa: Për sa i përket institucioneve kërkimore shkencore që janë të specializuara në fushën e arkeologjisë sfidat janë komplekse, por një ndër kryesoret është financimi. Kryesisht institucione si Institui i Arkeologjisë këtë aspekt e kanë zgjidhur nëpërmjet bashkëpunimeve me institucione të huaja, por edhe kjo praktikë në vitet e fundit nuk rezulton e mjaftueshme.

Si e imagjinoni turizmin historik shqiptar pas 10 vitesh?

Çipa: Pas 10 vitesh turizmin kulturor në Shqipëri e imagjinoj me një shumëllojshmëri ofertash, në nivel dhe standarte të ngjashme me vendet e tjera të Bashkimit Europian. /I.KRASNIQI

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram