Koordinatori Kombëtar i Kosovës për Instrumentin për Reforma dhe Rritje dhe Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, tha se Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që përmbylli me sukses negociatat me Bashkimin Evropian për agjendën reformuese, por se procesi i ratifikimit të marrëveshjeve u vonua për shkak të bllokadave në Kuvend.
“Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që kishte përmbyllur me sukses negociatat për reformat e Planit të Rritjes në verën e vitit 2024. Më pas, Qeveria miratoi Agjendën e Reformave pa vonesa, në nëntor të vitit 2024”, tha ai.
Sipas tij, kemi pasur vonesa në ratifikimin e marrëveshjeve. “Fillimisht, vonesat u shkaktuan nga zgjedhjet e rregullta parlamentare të shkurtit 2025, ndërsa draft-marrëveshja u finalizua vetëm në mars të atij viti. Më pas, bllokadat në Kuvend e vonuan ratifikimin dhe rrjedhimisht edhe zbatimin e reformave, si dhe këtë takim, i cili do të duhej të ishte mbajtur më herët. Më 13 shkurt të këtij viti, Kuvendi ratifikoi dy marrëveshjet e këtij instrumenti: Marrëveshjen për Instrumentin dhe Marrëveshjen për Huamarrjen. Menjëherë pas kësaj, më 19 mars, Qeveria miratoi vendimin për sistemin e zbatimit të këtij instrumenti. Më 16 prill filluam të pranojmë fondet e para të parafinancimit nga Plani i Rritjes, në shumën prej 61.8 milionë eurosh”, tha Zulfaj.
Zulfaj, tha se përmes këtij vendimi ishte emëruar në pozitën e Koordinatorit Kombëtar dhe, në të njëjtën kohë, në pozitën e Kryenegociatorit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian.
“Kjo tregon përkushtimin tonë ndaj reformave, si dhe synimin tonë për të avancuar statusin formal të Kosovës drejt anëtarësimit në BE, përkatësisht marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian”, tha ai.
Sipas tij, bllokada aktuale në Kuvend po pengon miratimin e reformave që lidhen kryesisht me legjislacionin dhe mund të ketë pasoja financiare për vendin.
“Vonesat nga viti i kaluar në Kuvend, siç e thashë edhe në fillim, kanë vonuar ratifikimin e marrëveshjeve si dhe zbatimin e reformave. Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdon këtë vit duke vonuar tutje reformat e nevojshme që kryesisht janë ligje që duhet kaluar në Kuvend. Si pasojë e kësaj bllokade në fund të këtij muaji në qershor tashmë mund të rrezikohen 9 hapa në shumë prej afër 60 milionë euro nga Plani i Rritjes”, tha Zulfaj.
Nga ana tjetër, Udhëheqësi i Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Jiri Plecity, tha se Kosova ka qenë ndër përfitueset e para në Ballkanin Perëndimor që ka përgatitur një agjendë reformuese të vlerësuar pozitivisht nga Brukseli.

