Friday, June 19, 2026
HomeLajmeKosovëBulliqi: Llapi gjithmonë në ballë të përpjekjeve për liri e shtetndërtim

Bulliqi: Llapi gjithmonë në ballë të përpjekjeve për liri e shtetndërtim

Kuvendi Komunal i Podujevës ka mbajtur seancë solemne për nder të 19 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Podujevës. Seanca nisi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror të Republikës së Kosovës, ndërsa më pas kryesuesi Isak Shabani ftoi të pranishmit për një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e vendit.

Kryesuesi Shabani theksoi se rruga drejt lirisë nuk ka qenë e lehtë, por është ndërtuar me përkushtim, sakrificë dhe vizion. Ai përmendi rolin e politikës paqësore dhe vizionit shtetformues të Ibrahim Rugovës në mbajtjen gjallë të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e çlirimit.

Sipas tij, epopeja e UÇK-së mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë së Kosovës, ndërsa përmendi si figura të rëndësishme Adem Demaçin, Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin.

Edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se 19 Qershori kujton rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt lirisë, sakrificat e popullit dhe heroizmin e atyre që dhanë gjithçka për atdheun.

Ai vlerësoi kontributin e UÇK-së, dëshmorëve dhe martirëve, si dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb.

Bulliqi theksoi se Llapi ka qenë gjithmonë në ballë të përpjekjeve për liri dhe shtetndërtim, duke përmendur figura të njohura të rezistencës dhe luftës çlirimtare.

Fjalë rasti mbajtën edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Besim Latifi, si dhe ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Llapit, gjeneral Kadri Kastrati.

Në fund të seancës, Shoqata e Veteranëve – dega në Podujevë, ndau mirënjohje për tre luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy mirënjohje post-mortem për Ali Poterën dhe Naim Kadriun, si dhe mirënjohje për mjekun e UÇK-së, Skender Murati.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FKomunaEPodujeves%2Fposts%2Fpfbid02teyyEG2VcYpqrTAubbUu7ABsvQYmjUZ8JnnBQa8ZwBHE1GDAVSXEeX1U3wXBkzjYl&show_text=true&width=500

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram