Saturday, June 20, 2026
HomeTurizëmTuristët vlerësojnë mikpritjen dhe plazhet në Durrës, bizneset presin rekord vizitorësh

Turistët vlerësojnë mikpritjen dhe plazhet në Durrës, bizneset presin rekord vizitorësh

ATSH-

Plazhi i Durrësit po përjeton ditë të ngarkuara të sezonit veror, me mijëra pushues vendas dhe të huaj që zgjedhin bregdetin më të madh të vendit për të kaluar pushimet.

Frekuentimi i lartë është i dukshëm gjatë gjithë vijës bregdetare, ndërsa turistët vlerësojnë mikpritjen, ushqimin dhe kushtet që ofron qyteti.

Turistët dhe siguria në plazh

Turistët francezë, të cilët këtë vit përbëjnë një nga tregjet me rritjen më të madhe në Durrës, shprehen të kënaqur me përvojën e tyre në Shqipëri.

“Prej disa vitesh vij në Shqipëri, kryesisht në Durrës. Më pëlqen shumë sepse është një vend shumë i qetë dhe vendasit janë shumë mikpritës. Ushqimi është super dhe kjo është një pikë shumë e fortë. Plazhi është fantastik. Për më tepër, është shumë e lehtë të vish këtu nga Franca. E rekomandoj plotësisht”, tha një turiste franceze.

Një tjetër turiste nga Franca tha se kjo ishte vizita e saj e parë në Shqipëri.

“Ushqimi është i shkëlqyer, plazhet janë fantastike. Kemi vizituar edhe qendrën e Durrësit dhe po e shijojmë shumë qëndrimin këtu. Perëndimet e diellit janë mahnitëse”, u shpreh ajo.

Ndërsa një turist tjetër vlerësoi pastërtinë dhe mikpritjen që ka gjetur në vend.

“Njerëzit janë shumë mikpritës dhe plazhet janë shumë të bukura e të pastra. Po i shijojmë pushimet me familjen”, tha ai.

Për sigurinë e pushuesve kujdesen rojat e plazhit, të cilët monitorojnë vazhdimisht vijën bregdetare. Festim Balliu, roje plazhi, thotë se deri tani sezoni ka qenë i qetë.

“Në përgjithësi situata ka qenë e qetë dhe nuk kemi pasur probleme. Turistët respektojnë udhëzimet dhe sinjalistikën. Rastet më të shpeshta kanë qenë pickime të vogla nga peshqit ose kandilët e detit, ndërsa situata të rënda nuk kemi pasur. Ky është sezoni im i tretë në këtë zonë dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë”, u shpreh ai.

Bashkia: Masa për pastërtinë, trafikun dhe menaxhimin e plazheve

Përballë fluksit të madh të pushuesve, Bashkia e Durrësit ka hartuar një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Zëvendëskryetari i bashkisë së Durrësit, Elio Jani bëri të ditur se janë shtuar kapacitetet dhe oraret e pastrimit, si dhe monitorimi i vijës bregdetare.

“Kemi hartuar një plan të posaçëm masash që përfshin shtimin e kapaciteteve të pastrimit, shtimin e orareve dhe grafikëve të punës, mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe monitorimin e vijës bregdetare. Një vëmendje të veçantë i kemi kushtuar menaxhimit të plazheve publike, përmirësimit të sinjalistikës dhe pastrimit të tyre”, tha Jani.

Sipas tij, të gjitha strukturat akomoduese në qytet janë të mbushura, ndërsa vitin e kaluar Durrësi regjistroi rreth dy milionë turistë.

“Kemi një bashkëpunim të ngushtë me Policinë Bashkiake për menaxhimin e trafikut, pasi gjatë sezonit ka një fluks të shtuar lëvizjesh. Shumë shpejt do të bllokojmë bulevardin kryesor, siç kemi bërë çdo vit”, shtoi ai.

Bizneset optimiste, pritshmëri për më shumë turistë se vitin e kaluar

Përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë dhe turizmit e konsiderojnë pozitiv fillimin e sezonit dhe presin një rritje të mëtejshme të numrit të vizitorëve.

Elton Dede shprehet se interesi i turistëve të huaj dhe vendas ka qenë i lartë.

“Sezoni turistik ka nisur pozitivisht. Shumica e turistëve janë europianë, por kemi edhe shumë vizitorë nga Anglia. Sfidë mbetet gjetja e stafit të kualifikuar dhe rritja e cilësisë së shërbimit”, tha ai.

Ndërsa menaxheri i një tjetër strukture hotelerie, Blerim Norja, parashikon një sezon më të mirë se ai i vitit të kaluar.

“Presim që deri në fund të sezonit të kemi nga 10 deri në 15 për qind më shumë turistë. Sezoni ka nisur më herët dhe pritet të zgjasë më shumë. Durrësi vazhdon të frekuentohet nga turistët polakë, ndërsa këtë vit kemi rritje të ndjeshme të tregut francez dhe atij britanik. Ka prenotime dhe kontrata edhe për vitin 2027”, tha Norja.

Sipas tij, mungesa e fuqisë punëtore po kompensohet përmes punësimit të stafit nga jashtë vendit, një zgjidhje që po funksionon për momentin.

Ai shtoi se, “protestat që po zhvillohen në Tiranë kanë sjellë një frenim të rezervimeve në një periudhë të sezonit, veçanërisht nga turistët gjermanë, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve”.

Edhe Embro Suljemani, menaxher i një tjetër strukture theksoi se Durrësi po tërheq turistë nga e gjithë Europa dhe se biznesi i tij ka investuar në trajnimet e stafit që gjatë dimrit.

“Kemi pasur turistë nga të gjitha vendet e Europës, por edhe shumë turistë vendas. Durrësi ka avantazhin se është një nga qytetet e pakta në vend që frekuentohet nga turistët gjatë gjithë vitit, duke pasur edhe turizëm dimëror”, tha ai.

Me plazhet e mbushura, rezervimet në rritje dhe vlerësimet pozitive të turistëve, Durrësi po hyn në kulmin e një sezoni që pritet të jetë ndër më të suksesshmit e viteve të fundit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram