Pishina e Gërmisë ka hapur zyrtarisht dyert për qytetarët dhe vizitorët këtë të diel, duke shënuar nisjen e sezonit veror në një nga destinacionet më të frekuentuara të kryeqytetit.
Lajmi është konfirmuar nga Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë edhe fotografi nga hapësirat e pishinës.
“Dyert e Pishinës së Gërmisë janë hapur. Ju mirëpresim”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Pishina e Gërmisë mbetet e vetmja pishinë publike e këtij lloji në kryeqytet dhe çdo verë tërheq mijëra vizitorë. E vendosur në zemër të Parkut të Gërmisë, një nga zonat më të vizituara dhe më të dashura për qytetarët, ajo konsiderohet një prej pikave kryesore për rekreacion dhe freski gjatë ditëve të nxehta të verës.
Hapja e saj pritet të sjellë një numër të madh vizitorësh gjatë muajve të ardhshëm, duke e kthyer sërish Gërminë në një nga qendrat kryesore të aktiviteteve verore në Prishtinë.

