Një person i moshës 26-vjeç ka humbur jetën sot në mëngjes në një vendpunishte në Prizren, pasi dyshohet se gjatë procesit të betonimit të një objekti është goditur nga vinçi.
Rastin për RTKlive e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi zëdhënës në Policinë e Kosovës për Rajonin e Prizrenit.
“Sot, më datë 22.06.2026, rreth orës 09:00, Policia ka pranuar informatën se në ambulancën e lagjes Arbana në Prizren është dërguar pa shenja jete një person mashkull, rreth 26 vjeç. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, ka bërë të ditur Bytyqi.
Ai ka thënë se lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar si dhe Inspektorati i Punës. Në koordinim me ta, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

