Saturday, June 27, 2026
HomeLajmeDita e 26 e protestës në Shqipëri

Dita e 26 e protestës në Shqipëri

Edhe pasditen e sotme protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me pankarta ku kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, largimi i kastës së vjetër politike, ndryshimi i ligjit zgjedhor, shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura.

Në ditën e 26-të radhazi, protesta kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec mblodhi qytetarët para Kryeministrisë prej nga u mbajtën dhe fjalime nga organizatorët dhe qytetarë të zakonshëm.

Protestuesit vijuan thirrjet për “Shqipëri të re”, ndërkohë që pas himnit kombëtar, u rilexuan kërkesat e protestës.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur kërkesat që, sipas saj, përfaqësojnë qëndrimin e qytetarëve të angazhuar në protestën masive kundër qeverisë dhe kryeministrit.

Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Një nga protestuesit denoncoi atë që e quajti taktikë shpërqendrimi nga fokusi i protestës duke u marrë me njerëz të veçantë.

Një emigrante prej 30 vjetësh tha se ka ardhur nga Toronto vetëm për këtë protestë. “Na keni bërë krenare”, u tha ajo protestuesve.

Të rinj që morën fjalën në protestë thanë se nuk pranojnë një Shqipëri ku mundësitë ndahen mes të privilegjuarve ndërsa pjesa më e madhe luftojnë për mbijetesë.

Një prej protestuesve bëri thirrje për më shumë qytetarë të shtunën në datën 27 qershor, kur sipas tij, është thirrur sërish protestë kombëtare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram