Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar burgim të përjetshëm për Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, e cila ndodhi më 26 nëntor 2021. Sipas aktakuzës, të pandehurit, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, patën privuar nga jeta tre persona, dy prej të cilëve ishin të mitur.
Pas administrimit të të gjitha provave, rrëzimit të çdo alibie dhe ballafaqimit të të akuzuarve me provat shkencore, Prokurorja e Shtetit, Sahide Gashi, në një paraqitje që zgjati më shumë se pesë orë, kërkoi që Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj të shpallen fajtorë dhe të dënohen me dënimin maksimal të paraparë me ligj.
“Duke iu referuar dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe peshës së rëndë të veprave të kryera, Prokuroria e Shtetit vlerëson se dënimi i vetëm që respekton drejtësinë e kërkuar për këtë tragjedi është burgimi i përjetshëm. Prokuroria argumenton se, për shkak të rrethanave jashtëzakonisht rënduese, ky dënim është i domosdoshëm. Kjo nuk është vetëm kërkesë e Prokurorisë; kjo është kërkesa e vetme për të rivendosur besimin në ligj dhe për t’u dhënë sadopak paqe familjeve dhe kujtimit të viktimave”, tha Sahide Gashi, prokurore e shtetit.
Kërkesës së Prokurorisë për burgim të përjetshëm iu bashkuan edhe familjarët e viktimave të 26 nëntorit, përkatësisht prindërit e dy nxënësve të vrarë.
“Unë e përkrah prokuroren. Jam disi më i qetë, sepse tash e di kush ma ka vrarë djalin. E kam ditur që në fillim, por ia kam lënë drejtësisë. Derisa të vihet drejtësia në vend, unë do ta ndjek atë rrugë”, tha Beqë Hamza, babai i Ledionit
“Faleminderit, kryetar. Unë e përkrah prokuroren dhe ju përkrah edhe juve. Dua t’ua lë juve që ta çoni deri në fund këtë drejtësi. Edhe unë jam për burgim të përjetshëm për ta, sepse na i kanë vrarë fëmijët në Gllogjan”, tha Florim Mustafa, babai i Gentianës.
Ndërkohë, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi një seancë shtesë. Me pajtimin e Trupit Gjykues, ajo u caktua të mbahet më 6 korrik të këtij viti.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në Gllogjan të Deçanit, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, privuan nga jeta tre persona, dy prej të cilëve ishin të mitur.
Si pasojë e sulmit, të vdekur mbetën shoferi i autobusit, G.Gj., si dhe nxënësit L.H. (17 vjeç) dhe G.M. (17 vjeç).

