TË PAKËN 55 shtetas ganezë janë vrarë në Ukrainë, pasi autoritetet ganeze thonë se ata u joshën nga rusët për të luftuar në anën e tyre. Ministri i Punëve të Jashtme i Ganës e njoftoi këtë informacion pas një vizite në Kiev, ku zyrtarët diskutuan rekrutimin rus të qytetarëve afrikanë për luftën, shkruan The Guardian .
Në muajt e fundit, ka pasur gjithnjë e më shumë raportime për burra afrikanë që janë joshur drejt Rusisë me premtime të rreme për vende pune, vetëm për të përfunduar në fushat e betejës ukrainase, duke rritur tensionet midis Moskës dhe disa vendeve afrikane. Autoritetet ruse mohojnë se kanë rekrutuar ilegalisht shtetas afrikanë për të luftuar në Ukrainë.
Të dhëna nga Kievi
Ministri i Punëve të Jashtme të Ganës, Samuel Okudzeto Ablakwa, njoftoi dje në rrjetin social X se që nga viti 2022, 272 qytetarë ganezë janë përfshirë në luftë. “Vlerësohet se 55 prej tyre u vranë dhe dy u kapën si robër lufte”, tha Ablakwa.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sibiha, i cili foli me median së bashku me Ablaqua të martën, tha se më shumë se 1,780 afrikanë nga 36 vende po luftojnë në ushtrinë ruse.
Gana shpall masa
Gana, e cila mban marrëdhënie ekonomike dhe diplomatike me Rusinë, synon të rrisë ndërgjegjësimin për këtë çështje dhe të godasë “skemat e paligjshme të rekrutimit në internetin e errët që veprojnë brenda juridiksionit tonë”, tha Ablakwa.
“Kjo nuk është lufta jonë dhe nuk mund të lejojmë që të rinjtë tanë të bëhen mburoja njerëzore për të tjerët”, theksoi ai.
Ministri njoftoi se qeveria ganeze do të rrisë arsimin publik dhe do të punojë për të “monitoruar dhe çmontuar të gjitha skemat e paligjshme të rekrutimit”.
Ai shtoi se dy ganezët e kapur i paralajmëruan të rinjtë të mos josheshin nga ofertat financiare për të shkuar në konflikt.
Raste të ngjashme në të gjithë Afrikën
Qeveria e Afrikës së Jugut njoftoi këtë javë se dy nga qytetarët e saj kishin vdekur në fushën e betejës. Ata ishin pjesë e një grupi prej 17 afrikanojugorë që u mashtruan për të luftuar për Rusinë, shumica e të cilëve janë riatdhesuar që atëherë, tha ministria e jashtme.
Duduzila Zuma-Sambudla, vajza e ish-Presidentit Jacob Zuma, është nën hetim policor në Republikën e Afrikës së Jugut për përfshirjen e saj të dyshuar në rekrutimin e më shumë se dhjetë burrave nga Afrika e Jugut për të shkuar në Rusi.
Sipas një raporti nga shërbimi i inteligjencës keniane, më shumë se 1,000 kenianë u rekrutuan për të luftuar në anën ruse. Ministria e Punëve të Jashtme e Kenias ka njoftuar se 27 shtetas kenianë janë shpëtuar pasi u ndaluan në Rusi. Ministri i Jashtëm kenian, Musalia Mudavadi, ka njoftuar se planifikon të vizitojë Rusinë në mars për të diskutuar çështjen.

