Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë në fshatin Zlipotok të Dragashit.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rasti është raportuar më 29 qershor 2026, rreth orës 23:15, kur policia është njoftuar se në këtë fshat kishte ndodhur një rrahje mes disa personave.
Sipas tij, me të arritur në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka gjetur një person të shtrirë në tokë, i cili dyshohet se kishte pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.
“Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF-ja në Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., 47 vjeç, nga Zlipotoku i Dragashit”, ka deklaruar Bytyqi.
Policia ka identifikuar si të dyshuar B.H., 40 vjeç, po ashtu nga fshati Zlipotok. Sipas Policisë, ai ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e së dielës janë duke u zhvilluar veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë Njësinë Rajonale të Hetimeve në Prizren dhe njësi të tjera mbështetëse.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar në koordinim me prokurorin e shtetit.

