Sunday, July 5, 2026
HomeLajmeKosovëTre shoferë ndëshkohen për shkelje të rënda në trafik në Ferizaj

Tre shoferë ndëshkohen për shkelje të rënda në trafik në Ferizaj

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë masa ndaj tre shoferëve që kanë kryer kundërvajtje të rënda në trafik, në kuadër të planit operacional për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.

Sipas Policisë, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor ka ndaluar në rrugën magjistrale, në fshatin Rakaj, një automjet të tipit Audi me targa të huaja. Gjatë kontrollit është konstatuar se drejtuesi i automjetit, N.B. (28), po lëvizte me shpejtësi 161 kilometra në orë në një zonë ku kufizimi i lejuar është 50 kilometra në orë.

Për këtë shkelje, atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.

Ndërkohë, Stacioni Policor në Ferizaj i ka hequr patentë-shoferin për 12 muaj drejtuesit D.Ç. (23), pasi në periudhën 26 gusht 2025 – 9 qershor 2026 kishte grumbulluar 10 pikë negative si rezultat i disa kundërvajtjeve të rënda në trafik.

Po ashtu, në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, policia ka ndaluar një automjet Opel Vivaro me targa vendore, pasi drejtuesi A.H. (23) kishte tejkaluar në vijë të plotë dhe në vendkalim për këmbësorë, duke rrezikuar sigurinë e tyre.

Për këtë kundërvajtje, ai është gjobitur me 200 euro, i janë shqiptuar dy pikë negative dhe i është ndaluar drejtimi i automjetit për tre muaj.

Policia bëri të ditur se ky rast është raportuar nga një qytetar përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka theksuar se kontrollet dhe aktivitetet e shtuara në trafik do të vazhdojnë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në komunikacion përmes numrit 192, numrave rajonalë të policisë ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram