Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon përdorimin e gjuhës denigruese nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj gazetarit Klevin Muka. Përmes publikimeve në rrjetet sociale, u shpërnda një video e shoqëruar me etiketime dhe akuza që cenojnë dinjitetin profesional të gazetarit.
Edhe në rastet kur ka kundërshti mbi raportimet apo informacionin e publikuar, përfaqësuesit më të lartë të pushtetit kanë detyrimin të respektojnë standardet e komunikimit publik dhe të evitojnë përdorimin e gjuhës që stigmatizon apo nxit etiketime ndaj gazetarëve.
Veçanërisht shqetësuese është përdorimi i etiketimeve si “gënjeshtar me pagesë”, i artikuluar nga një prej drejtuesve më të lartë të mazhorancës. Deklarata të tilla rrezikojnë krijimin e një klime presioni ndaj gazetarëve dhe vënë në dyshim punën e tyre përmes sulmeve personale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë rithekson se kundërshtimi i një raportimi apo publikimi duhet të bëhet me fakte, argumente dhe në kuadër të së drejtës për përgjigje, jo përmes sulmeve personale.
UGSH u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë përgjegjësi në komunikimin publik, duke respektuar rolin e medias dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar profesionin e tyre pa presion dhe pa etiketime.

