Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtore Aurona Pelajn për sulmin ndaj një të moshuare në një shtëpi kujdesi në Pejë, rast që kishte ndodhur në vitin 2022, kur ajo ishte e angazhuar si infermiere në këtë institucion.
Sipas aktgjykimit, Pelaj është dënuar me 2 vjet e tre muaj burgim për veprën penale “Sulmi”. Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 2 deri më 24 nëntor 2022, ndërsa pjesa e mbetur e dënimit do të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë.
Gjykata konstatoi se e akuzuara, duke qenë në detyrën e infermieres, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarës, e cila ishte e diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer dhe ndodhej në institucion për përkujdesje.
Përveç dënimit me burg, gjykata i shqiptoi Pelajt edhe masën plotësuese të ndalimit të ushtrimit të profesionit të infermieres për pesë vjet, afat që fillon nga dita kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë.
Ndërkohë, dy të akuzuarat e tjera në këtë rast, të cilat ngarkoheshin për bashkëveprim, janë liruar nga akuza.
Asnjëra prej të akuzuarave nuk ishte e pranishme në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së aktgjykimit.

