Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim eurodeputetin Riho Terras, raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën.
Sipas njoftimit nga MPJD, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës.
Konjufca ka vlerësuar mbështetjen e Parlamentit Evropian për aspiratat evropiane të Kosovës dhe falënderoi Terras për angazhimin e tij në raport me zhvillimet në vend.
Ai ka theksuar se “aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të marrë vëmendjen e merituar, duke i hapur rrugë avancimit drejt statusit të vendit kandidat dhe negociatave për anëtarësim”.
Sipas MPJD-së, Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e rrugës evropiane, thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e hapave të nevojshëm drejt integrimit të plotë në BE.

