Të martën, raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, Tonino Picula, e vlerësoi situatën në Serbi si shumë të keqe dhe i propozoi Komisionit Evropian të pezullojë financimin e Serbisë nga fondi i Planit të Rritjes dhe Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, raportoi televizioni N1 nga Beogradi.
PE diskutoi një projekt-rezolutë mbi përparimin e Serbisë në procesin e pranimit në BE bazuar në raportin Picula, i cili thotë se vendi po ngec në rrugën e tij evropiane për shkak të rënies së demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Picula theksoi se ekziston “retorikë agresive (e Beogradit zyrtar) ndaj BE-së” dhe se “media nuk ka liri, dhe shoqëria civile është e përjashtuar”.
“Qeveria e Serbisë tha se anëtarësimi në Bashkim është një qëllim strategjik, por faktet nuk e mbështesin këtë”, tha Picula.
Ai shtoi se “ekziston një hendek i madh midis qytetarëve të Serbisë që janë në favor të BE-së dhe asaj që po ndodh në realitetin politik”, duke përmendur si shembull pakënaqësinë e publikut për shkak të mënyrës se si qeveria reagoi ndaj vdekjes së 16 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2014.
“Sidomos kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, situata është shumë e keqe. Ne duam t’i bëjmë thirrje Komisionit (Evropian) që të pezullojë financimin e Serbisë kur bëhet fjalë për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor”, theksoi Picula.
Socialdemokrati austriak Andreas Schieder tha se të gjithë duan që Serbia të anëtarësohet në BE, por se ka një problem në rrugë, Presidenti Aleksandar Vuçiç .
“Ndërsa ai është president, vendi po bën hapa prapa në aspektin e demokracisë, lirisë së medias, transparencës, rritjes së korrupsionit… Gjithashtu, Serbia dhe Beogradi ndonjëherë shihen si kukulla të Moskës. Këto janë argumente të mjaftueshme për të diskutuar seriozisht ngrirjen e fondeve të ardhshme të BE-së”, tha Schieder.
Eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier vlerësoi se Serbia nuk do të bashkohet me BE-në së shpejti, “sepse nuk ka vullnet politik për këtë, as në qeveri dhe as në opozitë”, raportoi korrespondenti i N1 nga Brukseli.
Eurodeputeti austriak Helmut Brandstätter tha se “model i Vuçiçit është Putini ”, sepse tani, pas mandatit presidencial, ai dëshiron të jetë përsëri kryeministër.
“Nuk është çështje demokracie, detyra jonë është t’u themi popullit të Serbisë se jemi në anën e tyre. Serbët janë evropianë si ne, ne e duam Serbinë në BE, por autokracia nuk ka vend këtu”, tha Brandstätter.
Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, deklaroi se, pavarësisht të gjitha problemeve me të cilat përballet vendi në rrugën e saj evropiane në aspektin e sundimit të ligjit dhe demokracisë, Komisioni Evropian ka rinovuar rekomandimet e tij për të hapur Grupin 3 në negociatat me Serbinë, raporton N1.

