Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrat e kryera në Likoshan dhe Qirez, duke nderuar martirët dhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi të publikuar në Facebook, Haradinaj ka vlerësuar se gjaku i të rënëve u shndërrua në dritë udhërrëfyese për çlirimin e vendit.
“Në fund të shkurtit të 1998, nisi një kapitull i ri i luftës sonë për çlirim. Ajo ditë historike u shënua në Likoshan e Qirez, me emrat e Heronjve Beqir e Rexhep Rexhepi, Naser e Muhamet Gjeli dhe shumë martirëve që pësuan nga hakmarrja e armikut edhe pse ishin të paarmatosur. Gjaku i tyre u bë dritë për lirinë që po vinte. Nderim përjetë të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

