Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, një metodë moderne dhe minimalisht invazive që përdoret në kirurgjinë e trurit.
Sipas njoftimit të QKUK-së, ndërhyrjet janë kryer më 6 dhe 7 korrik në bashkëpunim me neurokirurgun nga Gjermania, dr. Gousias Konstantinos, i cili së bashku me ekipin e Klinikës së Neurokirurgjisë udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave.
Gjatë vizitës janë kryer me sukses dy ndërhyrje të avancuara kirurgjikale: heqja e një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe heqja e një tumori të ventrikulit të tretë të trurit, po ashtu me teknikën e neuroendoskopisë.
Në të dy operacionet është përdorur edhe neuronavigatori, një pajisje moderne që mundëson orientim të saktë anatomik gjatë ndërhyrjes, duke rritur sigurinë e procedurës dhe mundësuar kryerjen e operacioneve me precizion të lartë, sipas standardeve bashkëkohore të neurokirurgjisë.
Sipas SHSKUK-së, të dy pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit të ekipit mjekësor.
Përveç aspektit klinik, vizita e specialistit nga Gjermania pati edhe rëndësi profesionale dhe edukative për stafin e Klinikës së Neurokirurgjisë. Gjatë procedurave, neurokirurgët, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.

