Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka miratuar dy udhëzues për funksionimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS-K, duke finalizuar kornizën rregullative për lansimin e tij. Sistemi do të nisë zbatimin gradual më 23 nëntor 2026, ndërsa nga 23 shkurti 2027 do të përfshihen të gjitha bankat në Kosovë.
Sipas BQK-së, udhëzuesi i parë përcakton kushtet e përdorimit, funksionimin dhe tarifat e sistemit, ndërsa i dyti trajton parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe mashtrimeve.
“Nga data 23 nëntor 2026 do të fillojë zbatimi gradual i sistemit, gjatë një periudhe tranzitore tremujore, duke mundësuar përfshirjen progresive të bankave dhe ofrimin e shërbimeve të pagesave të shpejta për publikun”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
Sistemi TIPS-K do të mundësojë transferimin e mjeteve brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Sipas BQK-së, ky zhvillim është pjesë e reformave për modernizimin e sistemit të pagesave dhe përafrimin e tij me standardet evropiane.

