Ka katër vjet që Komuna e Lipjanit po tenton të bëjë shpronësimin dhe rrënimin e një ndërtese të vjetër në qendër të qytetit, por qytetarët po e kundërshtojnë këtë, me arsyetimin se po u cenohet e drejta e pronës. Ata e kanë dërguar këtë çështje edhe në gjykatë, e cila ka marrë aktvendim për masën e sigurisë lidhur me këtë pronë.
Dy vendime të Komunës së Lipjanit, një preliminar 2022 dhe ai përfundimtar i vitit 2024, për shpronësim dhe rrënim të kësaj prone në qendër të Lipjanit, ka shqetësuar banorët të cilët e kundërshtojnë një gjë të tillë. Ata thonë se nuk po merren parasysh kërkesat e tyre për kompensim me rastin e ndërtimit të lartë.
“Unë e gjallë nuk dal prej këtu veç kufomë nëse me largojnë qaty nalt e kam banesën, ujin ma kanë ndalë dje. Nëse e japin çmimin e saktë, po e jap, se ky vend është i vlefshëm e jo qysh dojnë ata me 30 mijë euro, asnjë garazh s’mundesh me ble, ajo hajgare është”, thotë Rahmete Emini.
“Ka dhënë shumë qesharake 470 euro për m2 pastaj 900 euro, kjo është qendër, 5 mijë euro po shkon metri ne qendër”, tha Dëfrim Zejnullahu.
“Ne nuk jemi kundër zhvillimit të qytetit, nëse duam ta ndërtojmë, e bëjmë ne, se prona është e jona dhe private, e jo me na marrë neve dhe me ndërtu ata vetë”, pohoi Xhevdet Sadiku.
Avokati Nebih Troshupa thotë se pas seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore – dega në Lipjan, u mor aktvendim për masën e sigurisë lidhur me çështjen e kësaj prone. Ai shton se Ligji i Shpronësimit në mënyrë shprehimore e konstaton se nëse realizohet projekti pa pasur nevojë që pronat të shpronësohen, banorëve u kthehen pronat, të cilat edhe nuk mund të rrënohen.
“Çdo vendim, veprim i komunës jashtë vendimit të gjykatës e konsumon veprën penale njashtu meqenë se projektet janë realizuar, shpronësimi e ka humbur kuptimin e vet dhe mbi bazën e saj nuk mundet që ky objekt të rrënohet dhe të ndërtohet objekti tjetër sepse kemi të bëjmë me nenin 4 që është diskriminimi pra”, tha ai.
Ndërkohë gjatë ditës, në vendin e ngjarjes kanë dalë ekspertë të gjykatës për të konstatuar se a është përfunduar ndërtimi i parkut të qytetit, nënkalimit dhe parkingut, mbi bazën e të cilave edhe ka filluar shpronësimi. Ata në një afat prej 4 ditësh do ta hartojnë një ekspertizë me shkrim dhe do ta deponojnë në gjykatë.

