Friday, July 10, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Për qeverisje përgjegjësia te ne, për presidentin e të gjithëve

Kurti: Për qeverisje përgjegjësia te ne, për presidentin e të gjithëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka vlerësuar konstruktiv takimin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, e ka thënë se pret njëjtë edhe nga takimi i pasdites me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku. Kurti ka komentuar edhe refuzimin kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini.

“Le t’i mbledhim me shpejtësi 93 deputetë”, ka deklaruar kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, për formimin e institucioneve të reja. Ai këtë deklaratë e dha pas takimit që pati me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.

“Unë sot në pasditen e vonë do të takoj edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe të shohim që si tri subjektet e mëdha dhe së bashku le t’i mbledhim me shpejtësi 93 deputetë, pra 58 Vetëvendosja, 22 PDK-ja dhe 18 LDK-ja. Ne kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të. Ku natyrisht e dini që për dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011, duhet t’i kemi 80 deputetë në sallë për të zgjedhur presidentin e ri, ndonëse në raundin e tretë nuk kërkohet një gjë e tillë. Për bindjen time ky numri 93 është më se i mjaftueshëm. Ndërkaq në anën tjetër ju e dini që edhe nuk është as pak e sigurt nëse konsiderojmë që numri prej 80 apo 81 deputetëve garanton kuorumin e nevojshëm. Prandaj siç e kemi thënë më herët, që është e nevojshme t’i kemi 84 apo 5 që të jemi të sigurt për rrugën përpara, njësoj vlen edhe tani”, tha ai.

Kurti tha se është i interesuar t’i jep kohë diskutimeve, konsultimeve, në mënyrë që legjislatura e 11-të të ketë jo vetëm kryetar kuvendi e kryeministër, por edhe president.

“Aktualisht unë nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me publikun. Por, në të njëjtën kohë duhet të theksoj që me kryetarin Hamza jam takuar dy herë gjatë dimrit sivjet, nuk jemi takuar asnjëherë në pranverë, dhe ky ishte takimi i parë në këtë verë. Unë uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet kushtetuese të arrijmë që t’i konstituojmë institucionet dhe në këtë mënyrë vendit t’i japim edhe kryetar kuvendi, edhe qeveri të re, kryeministër, e po ashtu edhe president të ri. Pra për bindjen time vullneti është aty, atmosfera konstruktive duhet të vijojë të mbizotërojë dhe në këtë mënyrë do të mund të jemi megjithatë optimistë për rrugën përpara”, tha ai.

Kurti: Presidenti nuk është veç përgjegjësi e LVV-së

“Nëse unë si fitues i zgjedhjeve, kryetar i Vetëvendosjes, kam përgjegjësinë për formimin e qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese. Zgjedhja e presidentit është menduar që të ndodhë me një bashkëpunim me të tjerët. Andaj edhe ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, pra dikush i cili nuk është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, dikush i cili ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale, qytetare, dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria jonë”, tha ai.

Kurti kritikoi kreun e AAK-së, Ardian Gjinin, për refuzimin e takimit me kryeministrin në detyrë.

“Ne edhe nëse nuk do të jemi bashkë në qeveri, padyshim që do të jemi bashkë në institucione dhe në kohën kur takimet zhvillohen gjithandej, pothuajse secili me secilin, nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar parlamentare si AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese. Andaj edhe po duhet të them 93 në vend se 100. Unë por gjithashtu edhe partitë e pakicave, të cilët kanë qenë në të kaluarën bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, ne nuk kemi asnjë arsye për të besuar që nuk do të jetë sërish njësoj”, deklaroi Kurti.

Ndërkohë Bedri Hamza i PDK-së deklaroi se ky subjekt politik do të qëndrojë si parti opozitare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram