Friday, July 10, 2026
HomeLajmeKosovëIKD kërkon më shumë garanci për pavarësinë e Byrosë

IKD kërkon më shumë garanci për pavarësinë e Byrosë

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ka nevojë për përmirësime të rëndësishme për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe pavarësinë e institucionit.

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka kërkuar që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të plotësohet me garanci më të forta procedurale dhe institucionale, duke përfshirë rishikimin periodik nga gjykata të masave të sigurimit të vendosura ndaj pasurisë, si dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të Byrosë.

Gjatë prezantimit të raportit “Pasuria e pajustifikueshme, drejtësia e justifikueshme”, Shala tha se masat e sigurimit mund të kufizojnë ndjeshëm përdorimin e pasurisë dhe, nëse mbeten në fuqi për periudha të gjata, mund të shkaktojnë pasoja serioze për qytetarët edhe para se gjykata të vendosë përfundimisht për konfiskimin.

“Kundërshtimi fillestar i masës nuk është i mjaftueshëm”, tha Shala, duke shtuar se “gjykata duhet të shqyrtojë periodikisht nëse masa vazhdon të ketë bazë ligjore dhe nëse mbajtja e saj në fuqi mbetet proporcionale me qëllimin që synon të arrijë”.

Ai vlerësoi se projektligji ka nevojë edhe për përmirësime gjuhësore, teknike dhe konceptuale. Sipas tij, dispozitat që lidhen me pasuritë zëvendësuese, transaksionet me palë të treta, Kodin e Mirësjelljes dhe bashkëpunimin ndërkombëtar duhet të formulohen më qartë për të shmangur paqartësitë gjatë zbatimit.

Shala theksoi se Ligji për Byronë mund të shërbejë si një mekanizëm i rëndësishëm në luftimin e pasurisë së pajustifikueshme, por vetëm nëse ndërtohet si instrument i sundimit të ligjit.

Duke folur për pavarësinë institucionale të Byrosë, Shala ngriti shqetësime lidhur me mënyrën e zgjedhjes së drejtuesve të saj, duke vlerësuar se projektligji nuk ofron garanci të mjaftueshme.

Ai tha se projektligji parasheh që Drejtori i Përgjithshëm dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, të emërohen me shumicën e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

“Një standard i tillë mund të jetë i pranueshëm për një institucion administrativ të zakonshëm, por jo për Byronë, e cila do të ushtrojë kompetenca me pasoja të rëndësishme juridike, ekonomike dhe personale”, deklaroi Shala.

Sipas tij, zgjedhja e drejtuesve me shumicën minimale parlamentare rrit rrezikun që Byroja të perceptohet si institucion i varur nga shumica politike.

Për këtë arsye, IKD rekomandon që Drejtori i Përgjithshëm dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të zgjidhen së paku me shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Shala foli edhe për dispozitat që rregullojnë verifikimin e pasurisë, duke vlerësuar se, megjithëse projektligji ka sjellë përmirësime në përcaktimin e periudhës së verifikimit, ai ende përmban paqartësi të rëndësishme.

Sipas tij, projektligji nuk e përcakton qartë se çfarë nënkupton pasuria “në masë të madhe më e lartë” se të hyrat e ligjshme.

“Mungesa e një pragu të përcaktuar, metodologjie dhe kritereve të matshme i jep Byrosë një hapësirë shumë të gjerë vlerësimi, duke krijuar mundësi që raste të ngjashme të trajtohen ndryshe, varësisht nga interpretimi i ligjit”, tha Shala.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram