Në ditën e tretë të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vizituar Tetovën dhe Gostivarin.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vlerësoi se kjo vizitë është një moment i veçantë për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në rajon.
“Kjo vizitë nuk është vetëm një takim institucional, por edhe një shprehje e lidhjes së fuqishme mes shqiptarëve kudo që ndodhen dhe atdheut të tyre, Shqipërisë. Tetova është një qendër e rëndësishme kulturore, arsimore dhe ekonomike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Kasami.
Bashkë me Kasamin, presidenti shqiptar vizitoi shkollën “Liria” në Tetovë, ku para të pranishmëve tha se të gjithë duhet të bëhemi misionarë të shqiptarisë.
“Të ruash gjuhën, traditën dhe elementet tjera identitare, t’i promovosh këto vlera ndër breza dhe ndër vise është kauza jonë e përbashkët, kauza që na mban gjallë”, theksoi Begaj.
Ai në Tetovë mbajti një fjalim edhe para studentëve të Universiteti i Tetovës.
Begaj më pas vijoi vizitën e tij në Gostivar, ku kreu i kësaj komune, Valbon Limani, i dhuroi Çelësin e Qytetit presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, me motivacionin: “Për përfaqësim dinjitoz e të mençur që u bën të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm, në të gjithë botën”.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, presidenti i Shqipërisë zhvilloi bisedime të ndara me liderë të tjerë shtetërorë dhe politikë të këtij vendi.

