Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasilij Nebenzja, dënoi ashpër sulmet e fundit ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndaj Iranit, duke i quajtur ato një tjetër akt të paprovokuar të agresionit të armatosur. Nebenzja pohoi se “veprimi i papërgjegjshëm dhe i pamenduar nga SHBA-të dhe Izraeli” çoi në përshkallëzimin e situatës në rajon, shkruan Agjencia Anadolu.
“Akt i agresionit të armatosur”
“Veprimet e Uashingtonit dhe Jerusalemit nuk janë gjë tjetër veçse një akt tjetër i paprovokuar i agresionit të armatosur kundër një shteti anëtar sovran dhe të pavarur të OKB-së, i cili bie ndesh me Kartën e organizatës dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare”, tha Nebenzia gjatë një seance emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Duke pretenduar se sulmet SHBA-Izrael përfaqësojnë ndërhyrje në punët e brendshme të Iranit dhe një përpjekje për të shkatërruar një shtet që nuk i pëlqen Perëndimit, Nebenzja tha: “Lëvizja e papërgjegjshme dhe e pamatur nga SHBA-të dhe Izraeli, për të cilën kemi paralajmëruar më parë, ka çuar tashmë në një përshkallëzim të mprehtë të situatës në të gjithë rajonin.”
“Për më tepër, operacionet ushtarake amerikane dhe izraelite përbëjnë një tradhti të diplomacisë”, shtoi ai.
Kritika ndaj presidencës britanike
Seanca e jashtëzakonshme u kërkua nga misionet e përhershme të Francës, Bahreinit, Kinës, Rusisë dhe Kolumbisë. Megjithatë, Nebenzia tha se Rusia dhe Kina i kishin kërkuar misionit të Mbretërisë së Bashkuar, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, që ta mbante seancën sipas pikës së rendit të ditës mbi kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Përpjekjet e presidencës britanike për të minimizuar artificialisht nivelin e rrezikut të situatës aktuale janë thjesht të papranueshme”, tha ai.
Diplomati rus kritikoi më tej presidencën britanike për injorimin “e rëndë” të kërkesave të Rusisë dhe Kinës për t’iu drejtuar Këshillit me Jeffrey David Sachs, drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Universitetin e Kolumbias.

