Kryetari i LVV-së, njëherit kryeministri Albin Kurti tha se procesi i zgjedhjes së presidentit do të vazhdojë me propozime të kandidatëve në baza partiake. Kjo pas refuzimit të ofertës nga profesori Murat Jashari, për të cilin Kurti tha se do të kishte qenë figura unifikuese në momentin e duhur.
“Zgjedhja e një figure si Murat Jashari edhe sot do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur. Pra ky do të ishte dhe vazhdon të mbetet rasti ideal”, tha ai gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij.
“Jam shumë i vetëdijshëm që Lëvizja Vetëvendosje e vetme nuk i ka numrat, nuk i ka 80 vota. Për këtë kam ftuar në takim dy liderët e partive opozitare. Takimet kanë qenë konstruktive. Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri që vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë e padiskutueshme sigurisht që do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet që një figurë si e profesorit Murat Jashari do të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike”, tha Kurti.
Kurti shpjegoi hapat që ndërmori deri më tani, duke përfshirë takimin me përfaqësuesit e partive opozitare.
“Me gjithë këto pas takimit të dytë me kryetarin e PDK, Bedri Hamza, më është kumtuar nga një qëndrim i kryesisë së tyre, që ata konsiderojnë se presidenti nga java e ardhshme duhet të vijë nga PDK. Kandidati mund të vijë nga cilido subjekt, por në fund zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake por votat në Kuvend. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që çdo subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit”, tha ai.
Kurti tha se nesër do të ftojë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për të diskutuar rreth këtij procesi.
Kurti: Fitorja jonë ishte edhe numerike edhe politike
“Kjo fitore jona ka një rëndësi edhe numerike edhe politike. Numerikisht rikthimi me mbi 51% të votave pas një mandati të plotë tregojnë se qytetarët vlerësojnë punën konkrete zhvillimore, progresin shoqëror dhe stabilitetin institucional. Kurse politikisht zgjedhjet e 2025 nuk ishin vetëm një garë, ato ishin referendum për vazhdimin e reformave, forcimin e sovranitetin dhe zhvillimin e vendit”, vlerësoi Kurti.
Kurti tha se do të mbajë premtimet e tij dhe do të investojë 1 miliardë euro në ushtri, 1 miliardë euro në prodhim dhe 1 miliardë euro në investime kapitale. Ai shtoi se në mbrojtje investimi do të vazhdojë me rekrutime të ushtarëve, në energji elektrike do të investohet me eksporte e modernizime të termocentralit Kosova B dhe rehabilitimin e thellë të Kosova A. Sektori privat, publik e premtimet për zhvillimin ekonomik qenë gjithashtu pjesë e fjalimit të tij. 

