Misioni fakt mbledhës i Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve ka prezantuar raportin për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë në të cilin ka ngritur shqetësime për përkeqësimin e klimës në të cilën punojnë gazetarët.
Raporti thotë se gjendja e lirisë së medias në Kosovë është përkeqësuar gjatë periudhës së fundit, për shkak të presioneve politike, retorikës denigruese ndaj gazetarëve dhe sfidave që lidhen me pavarësinë e institucioneve mediale.
Zyrtarët evropianë porositën për rritje të transparencës së pronësisë së mediave dhe përfshirje të gjerë në konsultimet që do të bëhen për hartimin e projektligjit për KPM-në.
“Mbetet shumë e rëndësishme edhe përgjegjësia për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Ne e mirëpresim strategjinë e miratuar së fundmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që synon përmirësimin e trajtimit të rasteve që përfshijnë gazetarët. Hetimet efektive, procedurat gjyqësore në kohë dhe zbatimi i qëndrueshëm i ligjit dërgojnë një mesazh të qartë se sulmet ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen”, ka thënë Boguslaë Gertruda – Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në zhvillimin e kornizës së saj ligjore. Në të njëjtën kohë, ky raport na kujton se ende ekzistojnë sfida serioze. Adresimi i tyre është thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike dhe për avancimin e rrugës evropiane të Kosovës”, ka thënë Evamari Laaksonen- ambasadora e Finlandës në Kosovë.
U vlerësua bashkëpunimi me sistemin gjyqësor, siç u tha për zero tolerancë ndaj sulmeve ndaj gazetarëve.
“Në momentin kur ka të bëjë me media, por edhe me zyrtarë të institucioneve respektivisht që lidhet me median në Kosovë, ato kanë karakter me prioritet siç është përcaktuar në planin strategjik për qasjen në drejtësi i caktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, ka thënë Agron Maxhuni, anëtarë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Raporti përfshinë edhe vlerësime për gjendjen në transmetuesin publik. Financimi i pamjaftueshëm, paqartësitë ligjore dhe pretendimet për presion politik u tha se kanë krijuar një situatë që rrezikon pavarësinë editoriale të transmetuesit publik.
“RTK aktualisht operon në kushte të vështira ekonomike, pa një zgjidhje për pronën e saj, ne si delegacion mbesim shumë të shqetësuar lidhur me largimin e moderatorëve nga lajmet, ndërprerjen e emisioneve, dhe dëshmitë e vazhdueshme të gazetarëve të RTK-së për presion politik”, ka thënë Flutura Kusari- Juriste e medies.
Menaxhmenti i RTK-së: Misioni ka anashkaluar përgjigjet e detajuara, ku janë bashkëngjitur edhe provat, si dhe kornizën formale juridike të ofruar zyrtarisht nga RTK-ja muaj më parë
Në një përgjigje me shkrim, menaxhmenti i transmetuesit publik ka dhënë qëndrimin e vet pas prezantimit të raportit.
Sipas menaxhmentit, një krahasim mes draft-raportit fillestar dhe dokumentit përfundimtar tregon se Misioni ka anashkaluar përgjigjet e detajuara, ku janë bashkëngjitur edhe provat, si dhe kornizën formale juridike të ofruar zyrtarisht nga RTK-ja muaj më parë. Transmetuesi Publik mbetet i udhëhequr nga parimet profesionale, ku të gjitha vendimet procedurale bazohen në ligj dhe në rregulloret e brendshme, kontratat e punës dhe vendimet e organeve ligjzbatuese.
Sa u përket pretendimeve në raport për ndryshime apo heqje nga ekrani të emisioneve apo moderatorëve, RTK sqaron se organizimi i punës televizive bëhet në përputhje të plotë me kontratat e punës dhe rregulloret e brendshme.
Sipas kornizës rregullative të RTK-së, pozita e redaktorit përfshin përgjegjësi mbikëqyrëse, verifikim të përmbajtjes dhe organizim të lajmeve. Moderimi apo prezantimi në ekran nuk përbën obligim apo të drejtë të fituar kontraktuale, por mbetet në diskrecion profesional të kryeredaktorit dhe menaxhmentit, sipas nevojave programore.
Në të gjitha rastet e përmendura, gazetarët dhe redaktorët kanë ruajtur plotësisht kontratat e tyre të punës, pagat dhe pozicionet formale, duke garantuar kështu sigurinë e tyre socio-profesionale.
Në procedurat administrative pranë Inspektoratit të Punës, ashtu edhe në organet gjyqësore, i është dhënë e drejta RTK-së, lidhur me rastet e pretenduara në raport, ku thuhet se dy gazetarëve të RTK-së nuk u janë vazhduar kontratat. Vendimet e RTK-së për rastet në fjalë janë marrë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, ndërsa proceset vijuese po ndjekin rrugën e tyre të rregullt procedurale.
Gjithashtu, sa u përket çështjeve të vetërregullimit etik, RTK ka dëshmuar përkushtim ndaj llogaridhënies duke zbatuar me përpikëri vendimet e KPM-së, përfshirë edhe publikimin e sqarimeve e demanteve të nevojshme.
Radiotelevizioni i Kosovës mbetet i hapur për dialog konstruktiv me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe partnerët evropianë. Si transmetues publik i të gjithë qytetarëve, RTK konfirmon përkushtimin në realizimin e plotë të misionit ligjor, pavarësisë redaktoriale dhe standardeve më të larta të gazetarisë profesionale”, përfundon qëndrimi i menaxhmentit.

