Një ushtar amerikan është arrestuar nën dyshimin për vepra penale sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare që lidhen me Rusinë , njoftoi policia britanike kundër terrorizmit.
Oficeri i lartë 41-vjeçar u arrestua sot pranë Gloucester.
Në një deklaratë, Shërbimi Kundër Terrorizmit i Policisë Metropolitane në Londër tha se burri u arrestua sipas neneve 1 dhe 3 të Aktit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2023.
Seksioni 1 i Aktit ka të bëjë me marrjen ose zbulimin e informacionit të klasifikuar, ndërsa seksioni 3 ka të bëjë me ofrimin e ndihmës për një shërbim të inteligjencës së huaj. Si pjesë e hetimit, oficerët po kryejnë kërkime në dy lokacione në Gloucestershire.
Sipas informacioneve të BBC-së, oficeri shërbente në Kampin Imjin, në Innsworth, Gloucestershire. Kampi është selia e Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s.Drejtori i FBI-së, Cass Patel, tha në një deklaratë: “Ky arrestim i rëndësishëm trajton akuzat për spiunazh që janë shqetësimi më i madh për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë.”
Ai shtoi: “Ndërsa hetimi vazhdon, dua të dërgoj një mesazh të qartë: FBI-ja ka tolerancë zero për ata që shkelin betimin e tyre të besnikërisë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe veprimet e të cilëve rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare dhe sigurinë e partnerëve tanë.”
Zëvendësndihmës Shefja e Policisë Vicky Evans, e Komandës Kundër Terrorizmit të Policisë Metropolitane, e përshkroi arrestimin si “të rëndësishëm”. “Akuzat janë serioze dhe hetimi ynë është duke vazhduar”, tha ajo.
Oficeri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, po mbahet në një stacion policie në Londër. Ai është ndaluar sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare 2023, i cili i lejon policisë ta ndalojë atë pa akuzë deri në 14 ditë.
Gjenerali i brigadës Sean Stinson, komandant i Komandës së Kundërzbulimit të Ushtrisë Amerikane, tha se “sjellja e dyshuar e një oficeri të lartë të besuar me informacione të ndjeshme është një kujtesë e fortë se kërcënimet nga brenda janë reale dhe të vazhdueshme”.
Ai shtoi: “I bëj thirrje kujtdo që beson se ka qenë dëshmitar i ndonjë aktiviteti të dyshimtë ta raportojë atë në zyrën e tyre lokale të kundërzbulimit.”
Burimi: BBC

