Wednesday, November 11, 2026
HomeLajmeKosovëAPK dhe ATK  me marrëveshje për shkëmbimin elektronik të të dhënave

APK dhe ATK  me marrëveshje për shkëmbimin elektronik të të dhënave

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë nënshkruar të enjten një Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e digjitalizimit të administratës publike.

Sipas njoftimit, marrëveshja krijon bazën për ndërlidhjen e sistemeve elektronike të të dy institucioneve, duke mundësuar shkëmbimin elektronik të të dhënave në mënyrë të sigurt, të kontrolluar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ky bashkëpunim pritet të lehtësojë procedurat administrative dhe hetimore, duke mbështetur ushtrimin më efikas të kompetencave ligjore të APK-së dhe ATK-së.

Në kuadër të marrëveshjes, ATK do t’i mundësojë APK-së qasje në të dhënat përkatëse nga sistemet e saj elektronike për nevojat e procedurave administrative, ndërsa APK do t’i japë ATK-së qasje në të dhënat nga sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë, në funksion të ushtrimit të kompetencave të saj ligjore.

Mënyra e shkëmbimit të të dhënave dhe aspektet teknike do të rregullohen përmes Procedurës Standarde të Operimit (PSO), e cila do të garantojë standarde për autorizimin, sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe transformimi digjital janë elemente kyçe për rritjen e efektivitetit të institucioneve publike.

“Institucionet janë më efikase kur bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë të dhënat në mënyrë të sigurt. Kjo marrëveshje nuk është vetëm një zgjidhje teknike, ajo përfaqëson një mënyrë të re të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, të mbështetur në besim, transparencë dhe efikasitet. Përmes ndërlidhjes së sistemeve tona, ne jo vetëm që përshpejtojmë proceset e verifikimit, por edhe forcojmë kapacitetin e institucioneve për të mbrojtur interesin publik dhe për të ndërtuar një administratë publike më moderne, më të përgjegjshme dhe më të besueshme”, tha Buleshkaj.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar se shkëmbimi elektronik i të dhënave do të rrisë efikasitetin institucional dhe do të ndihmojë në realizimin më efektiv të kompetencave ligjore.

Sipas njoftimit, ky bashkëpunim pritet të shërbejë edhe si model për zgjerimin e bashkëpunimit me institucione të tjera relevante, përfshirë Njësinë e Inteligjencës Financiare dhe autoritete të tjera kompetente, me synim krijimin e mekanizmave të koordinimit për trajtimin më efikas të rasteve komplekse të verifikimit të pasurisë, hetimeve administrative dhe çështjeve të tjera që kërkojnë bashkërendim institucional.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram