Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot emëroi z. Agron Limani, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Limani është aktivist i angazhuar prej më shumë se dy dekadash në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur me dhunë. Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” për masakrën e Krushës së Vogël, libër që, sipas Zyrës së Kryeministrit, u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç.
Në njoftim thuhet se gjatë luftës, Limani ka qenë ushtar i UÇK-së, ka humbur vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij vazhdojnë të jenë të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në Krushë të Vogël.
“Misioni i tij në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer ‘26 Marsi 1999’”, thuhet në njoftim.
Zyra e Kryeministrit thekson se, pavarësisht pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia, institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe vënien e drejtësisë në vend.
Po ashtu, në njoftim thuhet se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërsa përsëritet thirrja për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, veçanërisht për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. 

