Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Gjatë kontrollit të një automjeti, zyrtarët doganorë zbuluan 157 palë atlete, të cilat udhëtari nuk i kishte deklaruar dhe për të cilat nuk posedonte faturë apo dokumentacion që dëshmonte origjinën dhe vlerën e mallit.
Sipas Doganës, personi gjatë intervistimit fillestar kishte deklaruar se nuk kishte mallra për t’i paraqitur për kontroll doganor, por gjatë kontrollit fizik të automjetit u gjetën mallrat e padeklaruara.
Malli është ndaluar, ndërsa rasti është proceduar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se vazhdon angazhimin për zbatimin e ligjit, parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave fiskale të vendit.

