Thursday, August 6, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Punimet në urën Zhabar–Gushavc pritet të përfundojnë brenda vitit

Kurti: Punimet në urën Zhabar–Gushavc pritet të përfundojnë brenda vitit

Punimet për ndërtimin e urës që lidh Zhabarin me Gushvacin po zhvillohen me ritëm të shtuar, ndërsa synimi i institucioneve është që projekti të përfundojë brenda vitit 2026. Gjatë vizitës në vendpunishte, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë e Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, përfaqësues të institucioneve lokale dhe punëtorë të angazhuar në projekt, u njoftuan për ecurinë e punimeve.

Kurti tha se kjo urë është një projekt i rëndësishëm për rritjen e sigurisë, pasi do të mundësojë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë të organeve të rendit në të dyja anët e lumit Ibër. Sipas tij, investimi do të përmirësojë edhe lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve, duke krijuar kushte më të mira për zhvillim ekonomik të zonës.

“Ura është projektuar me gjatësi 65 metra dhe gjerësi 22.5 metra. Ajo do të ketë katër korsi qarkullimi, secila me gjerësi prej 3.5 metrash, si dhe trotuare në të dyja anët. Projekti përfshin edhe ndërtimin e dy rrethrrotullimeve dhe një segmenti rrugor prej 500 metrash me katër korsi dhe trotuare”, tha ai.

Në kuadër të projektit parashihet edhe rehabilitimi i shtratit të lumit Ibër në gjatësi prej 525 metrash dhe gjerësi prej 47 metrash, me qëllim mbrojtjen e mjedisit, rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e infrastrukturës përreth. Po ashtu, është planifikuar ndriçim modern përgjatë urës, trotuareve dhe hapësirave përreth.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se ky është një projekt që kontribuon në sigurinë dhe zhvillimin e kësaj pjese të vendit.

“Dhe kjo është ura e tretë që po bëhet me qeverisjen Kurti, që tregon që ne jemi të gatshëm t’ju ofrojmë pra organeve të sigurisë dhe të rendit qasje sa më të shpejtë dhe më të lehtë në të dy anët e Ibrit”, tha Basha.

Ai shtoi se përveç aspektit të sigurisë, ura do të sjellë përfitime edhe për qytetarët dhe bizneset, duke rritur vlerën e kësaj hapësire dhe duke krijuar mundësi të reja për zhvillim.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram