Saturday, August 8, 2026
HomeLajmeKosovëHamza për ndërprerjen e seancës: Mungesë e seriozitetit e përgjegjësisë

Hamza për ndërprerjen e seancës: Mungesë e seriozitetit e përgjegjësisë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se ndërprerja e punimeve të seancës konstituive tregon mungesën e seriozitetit dhe përgjegjësisë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit, përgjegjësisë, nga partia që ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Po shihet që vazhdojnë sjelljet e tyre të papërgjegjshme në raport me institucionet e Kosovës. Thirret seanca, thuajse në ditën e fundit në përputhje me Kushtetutën e ligjet, që të kemi konstituimin e Kuvendit. Në fund, dalin mbajnë fjalime politike, abuzojnë me pozitën e kryesuesit dhe në vend se të propozojnë emër, e shtyjnë propozimin e emrit për kryetar/e të Kuvendit dhe nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës”, tha Hamza, në deklarim për media pas ndërprerjes së seancës. 

Ai tha se vendi po vazhdon të ketë vakuum institucional dhe kjo i dëmton drejtpërdrejtë qytetarët. Ai tha se përgjegjësia për këtë i takon partisë me rezultatin më të madh zgjedhor, LVV-së.

“Pa përmbajtje, pa produkt, pa rezultat s’kemi nevojë të takohemi. Ne kemi dhënë qëndrimin tonë. Ne në mungesë të një vizioni, projekti serioz që me i dhënë vendit institucione, në mungesë të një oferte të përgjegjshme, në mungesë të seriozitetit, ne kemi deklaruar që do të jemi parti në opozitë”, tha Hamza, kur u pyet për deklarimet e kreut të VV-së, Albin Kurti se PDK dhe AAK nuk po pranojnë takime me këtë parti.

Punimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërprenë, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar kohë shtesë për arritjen e marrëveshjes politike për emrin e një kandidati për president.

“Kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, ka thënë ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram