Punimet e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës u ndërprenë, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar kohë shtesë për arritjen e marrëveshjes politike për emrin e një kandidati për president.
“Kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar liderin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku për takimet e mbajtura.
“Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend”, tha ai.
Kurti ka theksuar se konstituimi i institucioneve nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.
Ai ka uruar 120 deputetët për betimin e mandatit të ri.
Seanca e konstituimit të Kuvendit, betohen deputetët
(E përditësuar, 11:38 ) 120 deputetët e legjislaturës së 11-të janë betuar në Kuvendin e Kosovës për mandatin e tyre të ri.
Paraprakisht me 120 vota për është votuar raporti i komisionit të përkohshëm për verifikimin e korumit dhe mandateve të deputetëve.
Nis seanca e konstituimit të Kuvendit
Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të janë mbledhur në seancën konstituive të Kuvendit. U formua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve.Grupet parlamentare kanë propozuar anëtarët e komisionit për verifikimin e korumit dhe mandateve të deputetëve. 117 për dhe 1 abstenim është votuar kjo pikë e rendit të ditës.
Seanca do të vazhdojë pas 30 minutave, pas verifikimit të mandateve të deputetëve.
Në rend dite është betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve. Me konstituimin e Kuvendit nis afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit, që mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Afati 15-ditësh për votimin e Qeverisë fillon vetëm pasi ushtruesja e detyrës së presidentit ta mandatojë kandidatin e propozuar nga shumica parlamentare.
Konstituimi i Kuvendit, deputetët fillojnë të hyjnë në sallë
Deputetët e legjislaturës së re kanë vazhduar të mblidhen në sallën e Kuvendit të Kosovës, ndërsa seanca konstituive, e paraparë të fillojë në orën 10:00, pritet të nisë pas përfundimit të përgatitjeve procedurale.
Deputetët kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit, ku pritet të fillojë seanca konstituive.
Seanca ishte paralajmëruar të nisë në orën 10:00, por ende nuk ka filluar. Ndërkohë, disa deputetë dhe përfaqësues të subjekteve politike tashmë kanë hyrë në sallë.
Në Kuvend janë parë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, si dhe përfaqësues nga Aleanca.
Pritet që gjatë kësaj seance të zhvillohen procedurat e para për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

