Sunday, August 9, 2026
HomepafilterOVL-UÇK reagon ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd

OVL-UÇK reagon ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, duke e akuzuar atë për qëndrim “anti-Kosovë”.

Në një deklaratë për media, OVL-UÇK i është drejtuar Zelenskyt me kritika për qëndrimet e tij, duke i kërkuar që të marrë parasysh, siç thotë kjo organizatë, historinë e luftës në Kosovë dhe ndërhyrjen ndërkombëtare në vitin 1999.

“Z. Zelenski, deklarata juaj anti-Kosovë në Beograd, shpërfaq profesionin tënd para se të bëheshe president!”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Në deklaratë, organizata ka renditur disa ngjarje që, siç theksohet, e demantojnë deklaratën e presidentit ukrainas, e që janë mbështetur nga të gjitha shtetet që po mbështesin përpjekjet e Ukrainës për t’i dhënë fund pushtimit rus:

“Pas luftës së zhvilluar në vitet 1998–1999 dhe rezistencës së popullit të Kosovës, vendi u çlirua nga sundimi dhe regjimi opresiv i Serbisë. Bota demokratike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e NATO-s, ndërhyri ushtarakisht në pranverën e vitit 1999 për të ndalur spastrimin etnik dhe gjenocidin e ndërmarrë nga forcat serbe”, thuhet në deklaratën e OVL UÇK-së.

Tutje presidentit ukrainas i rikujtohet se më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj dhe se deri më sot, pavarësia e Republikës së Kosovës është njohur nga 121 shtete anëtare të OKB-së.

“Legjitimiteti i pavarësisë u konfirmua nga organet më të larta të drejtësisë globale. Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë dha mendimin këshillimor ku konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244, e as Kornizën Kushtetuese”, theksohet tutje në deklaratën e OVL UÇK-së.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram