Anëtarja e Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe ish-deputetja, Myzejene Selmani, ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvendosjes së fotografisë së Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës nga zyra e Presidencës.
Përmes një deklarate publike, Selmani i ka kujtuar kreut të shtetit se ajo zyrë nuk është pronë private, por institucion i Republikës, duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të këtyre simboleve në vendin e tyre.
Reagimi i plotë i Myzejene Selmanit:
“Zonja Presidente, ajo nuk është zyra juaj private, por zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës!
Kthejeni menjëherë fotografinë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës në vendin e tyre. Ato janë simbole të shtetit dhe historisë sonë, jo dekor që mund të ndryshohet sipas dëshirës.
Pa Republikën e Kosovës dhe pa sakrificën e atyre që e bënë të mundur shtetësinë, ju nuk do të ishit sot në atë zyrë.
Republika e Tretë? Harrojeni! Kosova ka shtetin e saj, historinë dhe simbolet e saj që duhen respektuar!”

