Flamuri gjigant me mbishkrimin “Free Ukraine” i cili ishte vendosur tash e katër vjet në kryeqytet në mbështetje të Ukrainës pas agresionit rus tashmë është hequr.
Shkas për këtë është bërë deklarata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Beograd, ku tha se qëndrimi i shtetit të tij ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.
Heqja e flamurit nga hotel ‘Grand’ është publikuar në rrjetet sociale nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës duhet të respektohet dhe kur nuk respektohet, komuna që ai drejton do të përgjigjjet gjithmonë njëjtë.
“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka shkruar Rama në Facebook.
Deklarata e Zelenskyt ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

