Sot në Gllogjan dhe Hereq janë bërë homazhe në kujtim dhe nderim të dëshmorëve të kombit, Sokol Sejfijaj, Din Alijaj, Muhamet Zenunaj dhe Asllan Rexhepaj.
Në një postim në Facebook, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ka kujtuar periudhën e gushtit të vitit 1998, duke theksuar se luftimet ishin të ashpra.
“U bashkuam sot në Gllogjan e Hereq në nderim të dëshmorëve të kombit Sokol Sejfijaj, Din Alijaj, Muhamet Zenunaj dhe Asllan Rexhepaj, të rënë më 10 gusht 1998 në altarin e lirisë. Gushti i vitit 1998 ishte periudhë e luftimeve të ashpra me ushtrinë gjenocidale serbe. Humbëm disa nga bashkëluftëtarët më të zotë, por nuk u thyem. Vazhduam luftën deri në çlirimin e Atdheut”, shkroi ai.
Ai ka thënë se derisa nderojmë dëshmorët e luftës sonë çlirimtare, kujtojmë se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë sot.
“Ishte lufta jonë çlirimtare që na solli Aleancën me NATO-n e udhëhequr nga Amerika. Falë sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe brezave që kontribuuan ndër vite për Atdheun sot ne gëzojmë shtetin e pavarur. I përjetshëm kujtimi për dëshmorët dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës”, u shpreh Haradinaj.

