E kuptoj shqetësimin që në Kosovë shkaktojnë deklaratat e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, por duhet ta pranojmë realitetin: Ukraina nuk mund të mbajë qëndrim tjetër sa i përket njohjes së Kosovës, sepse një veprim i tillë do t’i jepte Kremlinit argument për pretendimet e tij ndaj Krimesë dhe Donbasit, thotë për RTKLive kryetari i Këshillit Evropian të Serbisë, Dragan Shormaz.
Vizita e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd kaloi pa incidente politike, pikërisht ashtu siç kishte synuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – pa protesta pro-ruse, pa përplasje politike dhe pa reagime të rëndësishme nga opozita apo studentët.
Dy presidentët diskutuan për çështjet në të cilat mund të gjenin hapësirë bashkëpunimi, si ekonomia, bujqësia dhe tregtia, si dhe për nivelin e ndihmës humanitare që Serbia mund t’i dërgojë Ukrainës.
Integrimi evropian, sipas Shormazit, nuk ka qenë temë serioze e bisedimeve, pasi ai konsideron se Vuçiqi nuk synon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por përfitimin nga fondet evropiane.
Kështu e vlerëson për RTKLive vizitën e presidentit ukrainas në Serbi, kryetari i Këshillit Evropian të Serbisë, Dragan Shormaz. Sipas tij, Zelensky “e di mirë” se nikoqiri i tij nuk është i interesuar për integrimin evropian të Serbisë dhe për këtë arsye nuk ka humbur kohë me këtë temë.

