Gjatë javës së kaluar, zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë realizuar 71 urdhëresa të gjykatës, ndërsa në kuadër të aktiviteteve të sigurisë janë sekuestruar edhe 16 armë zjarri.
Sipas Policisë së Kosovës, urdhëresat gjyqësore janë realizuar në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara. Prej 71 urdhëresave të ekzekutuara, 39 kanë të bëjnë me vepra penale, ndërsa të tjerat me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe çështje të tjera.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresat gjyqësore.
Aktivitetet e policisë në Rajonin e Prishtinës gjatë javës së kaluar janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë.
Në këtë periudhë janë sekuestruar 16 armë zjarri, ndërsa në kuadër të kontrollit të trafikut janë shqiptuar gjithsej 4 mijë e 406 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit.
Nga këto masa, 604 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe veturave të pajisura me radarë mobilë.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet do të vazhdojnë me qëllim të zbatimit të urdhëresave gjyqësore dhe rritjes së sigurisë publike e rrugore në Rajonin e Prishtinës.

