Monday, August 10, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu: Marrëveshja politike është rruga për të shmangur zgjedhjet e reja

Haxhiu: Marrëveshja politike është rruga për të shmangur zgjedhjet e reja

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partitë politike që të ulen në dialog dhe të punojnë për një marrëveshje, përmes së cilës do të tejkalohej ngërçi aktual institucional dhe do të shmangeshin zgjedhjet e parakohshme.

Haxhiu ka thënë se zhvillimet e fundit në Kuvend, përfshirë tensionet dhe përshkallëzimet gjatë seancës, e bëjnë edhe më të nevojshëm komunikimin ndërmjet subjekteve politike.

Ajo ka theksuar se edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhen me nevojën për dialog dhe marrëveshje politike.

“Për shkak të zhvillimeve të fundit, tensioneve dhe përshkallëzimeve brenda Kuvendit të Republikës, duhet t’i jepet përparësi marrëveshjeve politike. Madje është në linjë me gjykimet e Gjykatës Kushtetuese që për çështjet me të cilat po diskutojmë duhet të ketë takime dhe marrëveshje politike”, tha Haxhiu.

Sipas saj, Kosova nuk ka nevojë për situata të reja tensionuese dhe as për përplasje brenda institucioneve.

“Nuk na duhen situata tensionuese, përshkallëzimet, konfliktet fizike apo të tjera si kjo. Prandaj edhe uroj që gjatë kësaj periudhe kohore të ketë takime sa më shumë, jo refuzime të takimeve”, deklaroi ajo.

Haxhiu u bëri thirrje partive që të mos insistojnë në qëndrime që, sipas saj, mund ta thellojnë bllokadën institucionale, por të kontribuojnë në arritjen e një dakordimi.

“Le të ulemi seriozisht, le të flasim për një marrëveshje që nuk çon te bllokada, nuk çon te zgjedhjet e parakohshme. Nuk kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme sepse kemi shumë punë përpara”, tha ajo.

Ajo shtoi se synimi duhet të jetë krijimi i një zgjidhjeje që mundëson zgjedhjen e presidentit të vendit për një mandat të plotë.

“Por që thjesht çon te një marrëveshje ku presidenti i vendit zgjidhet me mandat pesëvjeçar. Ne kemi bërë shumë veprime në këtë drejtim, por nuk mundet vetëm njëra palë në vazhdimësi të bëjë oferta apo të bëjë propozime, por duhet që edhe palët e tjera, të cilat janë të përfshira në këto diskutime, t’i japin kontributin e tyre”, u shpreh Haxhiu.

Duke folur për pretendimet se gjatë procesit mund të jetë shkelur Kushtetuta, Haxhiu ka thënë se interpretimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese.

“Se a është shkelur apo jo Kushtetuta, na tregon Gjykata Kushtetuese. Kushdo që konsideron që është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës, mund ta delegojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, edhe në të kaluarën çështje të tilla janë dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese seancën konstituive e ka konsideruar si çështje kushtetuese, dhe në qoftë se dikush po vlerëson që dikush këtu po e shkel Kushtetutën, atëherë le t’i drejtohet instancës që e interpreton veprimin tonë”, shtoi ajo.

Haxhiu ka paralajmëruar se kalimi i afateve pas konstituimit të Kuvendit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Shumë e rëndësishme është që të ketë marrëveshje. Keni parasysh që konstituimi i Kuvendit çon në rrjedhje të afateve”, tha Haxhiu.

Ajo ka theksuar se nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të përcaktuar, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Le t’i shmangim zgjedhjet e parakohshme, le të fokusohemi te prioritetet. Prioritet është marrëveshja. Para marrëveshjes janë takimet, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime”, deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes.

Në fund, Haxhiu kërkoi nga partitë politike që t’i bëjnë publike qëndrimet e tyre dhe të jenë më të qarta në raport me afatet dhe hapat që duhet të ndërmerren.

“Le t’i thonë qartë e hapur qëndrimet e tyre, sepse për besë u bë shumë e vështirë me iu rënë në fije më”, përfundoi Haxhiu.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram